E përditshmja spanjolle, “Mundo Deportivo”, përfshin emrin e Elseid Hysajt mes lojtarëve që po monitorohen nga drejtuesit e Barcelonës për të ardhmen e kësaj skuadre. Gazeta, e cila ka lidhje të ngushta me klubin katalanas, ka përpiluar listën e të gjithë alternativave të mundshme që po shqyrton Barcelona, e cila mendon të përforcojë krahun e djathtë të prapavijës, i cilësuar si pika më e dobët në edicionin e fundit, që pas largimit të Dani Alvesh.
“Barça nis operacionin ‘anësor’” titullohet artikulli i cili rendit të gjitha alternativat që po shqyrtojnë katalanasit, duke filluar nga emra si Kimish e Belerin, për të vazhduar me alternativa më pak të njohura për publikun spanjoll, por që me siguri mund t’i bëjnë punë kësaj skuadre. Duke u ndalur në kampionate të ndryshme, tek ai italian, “Mundo Deportivo” identifikon vetëm dy futbollistë, të cilët shfaqin interes për Luis Enriken.
I pari, është 19-vjeçari Pol Lirola, i kaluar nga Juventusi te Sasuolo, por i prenotuar nga bardhezinjtë për të ardhmen. Ndërsa i dyti, është pikërisht Hysaj. “Ai është shumë i mirë në mbrojtje dhe në sulm, por me pak aftësi teknike për Barcelonën”, shkruan e përditshmja spanjolle. Pas interesimit gjithnjë e në rritje të skuadrave angleze, monitorimi nga Barcelona do të rritë edhe më shumë vlerësimin për Hysajn, i cili që tani shihet si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në qarkullim në Europë.