Shqipëria në këmbë më 18 shkurt

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalli mbrëmjen e djeshme 18 shkurtin si ditën e nisjes së protestave popullore. Protesta do të zhvillohet për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira si dhe kundër krimit, drogës, varfërisë e shtypjes qeveritare  që solli Rama bashkë me qeverinë në këto katër vite. Përmes një postimi në facebook, Basha thotë se, vetëm me kurajo dhe vendosmëri pushteti i grabitur në këto vite do të rikthehet sërish tek njerëzit. “I ftoj të gjithë bashkëqytetarët në një manifestim kundër qeverisë më 18 shkurt, në Tiranë. Të protestojmë bashkë kundër padrejtësive dhe varfërisë, kundër shëndetësisë që lëngon dhe arsimit të shkatërruar, kundër arrogancës dhe shtypjes qeveritare, kundër drogës, krimit dhe kriminelëve në politikë. Të mbrojmë lirinë për të zgjedhur dhe të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën. Vetëm me kurajo dhe vendosmëri mund ta kthejmë pushtetin tek njerëzit”, shprehet Basha në postimin e tij. Po dje, gjatë mbledhjes së kryesisë së PD, Basha denoncoi skenarin e Ramës për të mbajtur pushtetin me paratë e krimit dhe drogës ndërsa tha se do të shmanget nga reagimi popullor. “Që tani e kanë ndarë hesapin e zgjedhjeve. I dëgjoni se si i numërojnë votat, i japin dhe i heqin mandate njëri-tjetrit dhe nuk kanë nevojë për votën e njerëzve. Nuk i llogarisin njerëzit. Pazare, parcela ku klonohen parti klienteliste që ndajnë si plaçkë pasuritë e shqiptarëve. Ky është qëllimi. Nuk ka më politikë, por luftë për plaçkë. Prandaj zgjedhjet u prishin punë. Nuk duan zgjedhje.  Kanë marrë peng Shqipërinë. Tani duan të marrin peng edhe zgjedhjet që ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është. Ta mbajnë pushtetin, të mbajnë krimin në pushtet dhe të shtojnë miliardat e tyre. Ky është skenari, kjo është e vërteta. Ne e dimë dhe çdo shqiptar e di. Pyesni çdo shqiptar jashtë kësaj salle dhe ndërtese, në këtë qytet dhe në çdo qytet të Shqipërisë. Të gjithë do të thonë që kjo qeveri nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse do që të mbajnë gjendjen kështu siç është.  Ky skenar mund, duhet dhe do të shmanget vetëm nga njerëzit, nga reagimi i tyre. Vetëm nga qytetarët e bashkuar dhe reagimi i tyre. Ndaj jemi mbledhur sot (dje) këtu dhe do të mblidhemi në forume të tjera të kësaj partie sepse detyra jonë si demokratë është që të bëjmë gjithçka për të zgjuar, mobilizuar dhe mbështetur reagimin e qytetarëve. Për të qenë zëri i tyre dhe mbështetësja e tyre në çdo formë reagimi demokratik për të reaguar për zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha Basha. Ai theksoi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk janë një çështje e interesave të PD-së, por zgjedhjet e lira janë çështje jetike për njerëzit, të vendit, të shoqërisë, së kombit.  “Sa më parë t’i presim rrugën të keqes aq më pak kosto do të kemi, aq më pak do të dëmtohen jetët dhe e ardhmja e vendit. Sot është momenti që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga krimi në politikë, nga qeverisja e inkriminuar dhe nga vjedhja e zgjedhjeve. Rruga që e nxjerr vendin nga kjo gjendje që kjo qeveri kërkon ta ruajë me çdo kusht, është rruga e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është zgjidhja. Nuk ka tjetër. Demokratët dhe opozita janë të bashkuar e të vendosur për këtë qëllim. Sot dua të ftoj edhe partitë e çdo krahu politik, intelektualët, ftoj shqiptarët pa dallime politike që të bashkohemi për të çliruar me çdo kusht shansin më të madh që demokracia u jep qytetarëve të lirë: votën e lirë. Kjo është beteja. Opozita dhe Partia Demokratike do të jetë në ballë të saj” u shpreh kreu i PD.

Basha:Të mbrojmë lirinë e votës

Mbrojtja e lirisë së votës ishte kryefjala e kreut të PD, Basha në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë ku u diskutua mbi aksionin opozitar për daljen e vendit nga kriza. “Pas mbledhjes së fundit të Kryesisë, ku ju informova për turin e takimeve në Uashington, në Bruksel dhe në Berlin që do të ndërmerrja, dhe pasi vendosëm përsa i përket organizimit të fushatës elektorale, mbledhja e sotme (djeshme) ka për qëllim, diskutim dhe vendimmarrje në raport me dy çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, garantimin e votës së lirë, si misioni themelor i Partisë Demokratike, si një interes jetik, shoqëror dhe kombëtar. Sot jemi dëshmitarë të bllokimit total të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Investimet e huaja janë bllokuar. Ekonomia është në gjendje të mjeruar. Askund nuk ka punë. Shqiptarët po vazhdojnë të largohen masivisht nga vendi, gjendja e Shqipërisë është pa shpresë për të ardhmen. Dalja nga kjo gjendje është e qartë, mesazhet i kam marrë në Uashington, në Bruksel dhe në Berlin, nga përfaqësuesit më të lartë të politikës amerikane dhe europiane. Mesazhet janë konfirmuar nga Rezoluta unanime e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, nga raporti i Këshillit të Europës dhe dje nga rezoluta e kaluar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian dhe dalja e Shqipërisë nga kjo gjendje është e qartë: Kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kalon përmes luftës kundër krimit të organizuar, kalon përmes largimit të kriminelëve nga politika, kalon përmes parandalimit dhe kultivimit të drogës dhe trafiqeve të drogës, kalon përmes luftës së korrupsionit qeveritar dhe pa dyshim përmes Reformës në Drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese. Kjo është dalja e Shqipërisë nga kriza ku ndodhet. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë potencuar si kusht i patejkalueshëm për integrimin e vendit dhe padyshim për të gjitha pasojat pozitive që kjo ka për ekonominë, për shoqërinë, për punësimin, për të ardhurat, por duket se rilindja e 1 Prillit ka vetëm një qëllim: të ruajë gjendjen aktuale. Të ruajë me çdo kush status quo-në, ta mbajë Shqipërinë kështu siç është, me këtë politikë, të pandryshuar, sepse kjo gjendje ju siguron atyre pasurimin dhe pushtetin” tha Basha. Ai theksoi se pakica në pushtet është pasuruar në mënyrë marramendëse. Ka siguruar miliarda përmes drogës dhe trafiqeve, përmes krimit dhe përmes koncesioneve dhe korrupsionit qeveritar. I ka siguruar vetes luks të pakufizuar, pushtet të pakufizuar. Dëgjoni dëshmitë e ish-ministrit të Drejtësisë Manjani për të kuptuar përmasat e krimit, korrupsionit dhe degjenerimit qeveritar. Që të ruajnë dhe të shtojnë pasurinë që kanë vënë, duhet që droga të vazhdojë të mbillet dhe të mbillet edhe më shumë këtë vit, duhet që Balili me shokë të vazhdojnë të punojnë të lirë dhe të paprekshëm që të vazhdojnë trafiqet miliona euroshe, duhet që klientët e tyre të vazhdojnë të marrin tendera dhe koncesione prej miliarda lekë të taksapaguesve shqiptarë” u shpreh kreu i PD.

Opozita zotëron emrat e rrjetit kriminal të Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve

Edi Rama, me ministrin e tij të drogës, Saimir Tahirin dhe me një kupolë drejtuesish të korruptuar në krye të Policisë së Shtetit, kanë krijuar qark më qark në të gjithë vendin një rrjet kriminal të përbërë nga kriminelë të regjur, nga eksponentë të njohur të krimit të organizuar, nga ish-të dënuar për krime të rënda, nga narkotrafikantë të skeduar ndërkombëtarisht dhe nga banditë të hurit e të litarit që kanë marrë detyrë të blejnë vota, të dhunojnë zgjedhësit dhe zgjedhjet për llogari të Edi Ramës dhe klikës së tij. Kreu i PD, tha dje se opozita e zotëron emër për emër organizmin e këtij rrjeti, ndërkombëtarët janë në dijeni gjithashtu. “Qytetarët, në çdo qytet dhe në çdo fshat, njohin me emër e mbiemër bandën e zonës. Duke dashur të fshihet pas gjethes së fikut, Edi Rama i ka shpërndarë këto skuadrone sa rreth vetes së tij, sa i ka depozituar në xhepat e disa partive aleate, të disa formacioneve, të cilat i bën gati t’i lançojë në këto zgjedhje. Fshehja nga kjo qeveri e Eskobarit të Ballkanit të kërkuar ndërkombëtarisht prej më shumë se një viti, ka për qëllim që bashkë me fshehjen e ortakërive, që Eskobari i Ballkanit ka me ministrat e kësaj qeverie t’u japë një mesazh narkotrafikantëve dhe banditëve të angazhuar në pushtimin e zgjedhjeve se Edi Rama me Saimir Tahirin do t’i mbrojnë deri në fund. Droga prodhon para për të blerë vota, por prodhon edhe kushtëzimin e votës për qindra mijëra njerëz të thjeshtë në  vështirësi për bukën e gojës, për bukën e fëmijëve, të cilëve qeveria nuk u dha asnjë mundësi për të jetuar me dinjitet, ndaj i thërret si skllevër për t’u punësuar në të zezë dhe do t’u kërkohet me kërbaç të japin votën, përndryshe nuk paguhen.  Miliardat e koncesioneve dhe tenderave korruptivë që u janë dhënë klientëve të një rrethi të ngushtë, jo vetëm për t’i ndarë së bashku për jetën luksioze, por edhe për t’i hedhur në zgjedhje, për të kapur zgjedhjet. Mbi mjerimin që mbollën këto katër vjet amembanë vendit po bëhen gati të lëshojnë lukuninë e krimit dhe lumin e parave të pista. E vetmja gjë që i garanton, që të vazhdojë droga, të vazhdojë vjedhja, të vazhdojë pasurimi dhe pushteti i tyre, është mbajtja e pushtetit politik me çdo kusht. E vetmja mënyrë për ta mbajtur pushtetin është kapja, është shkatërrimi i zgjedhjeve. Sepse zgjedhjet e lira janë fundi i kriminelëve në politikë, janë fundi i koncesioneve miliardëshe, janë fundi i këtyre politikanëve të panginjur dhe arrogantë të lidhur me krimin. Prandaj me qëllim që të marrin peng zgjedhjet, që të asgjësojnë zgjedhjet, janë bërë gati që të përdorin stokun e stërmadh të parave të zeza të trafiqeve të drogës dhe krimit të koncesioneve të korrupsionit qeveritar dhe nga ana tjetër janë bërë gati të përdorin kriminelët për të kërcënuar votën e lirë, për të manipuluar votuesit, administratën zgjedhore, si edhe të përdorin median e kapur për të fshehur manipulimin. Ky është skenari i qartë në sytë e çdo shqiptari. Blerja e votës dhe mbështetja për vjedhjen e votës dhe kërcënimi i njerëzve të lirë. Ky është skenari që do të shkatërrojë të ardhmen e Shqipërisë. Të ardhmen e familjeve, fëmijëve, rinisë, të ardhmen e vendit. Këtë skenar tashmë e kanë denoncuar para medias edhe vetë anëtarët e qeverisë si ish-ministri i Drejtësisë dhe ministri aktual i Ambientit” tha Basha.

Artikulli paraprakAnaliza e UKT/ Reagon Xhelal Mziu: Ja shpifjet e radhës së kolegut mashtrues Erion Veliaj
Artikulli tjetërRobert Ndrenika në korridorin e spitalit i braktisur nga shteti