Programi i lajmëruar nga qeveria për të konçesionuar tek privatët 1 miliard euro investime në projekte publike është një rritje e fshehtë e borxhit. Të gjitha investimet e privatëve do të shlyhen nga buxheti, për një periudhë e cila varion nga 10 deri në 15 vjet. Sipas skemës, qytetarët nuk do të paguajnë vetëm investimin fillestar, por edhe interesin e bankave si dhe fitimin e biznesit privat, që do të financojë projektin. Kjo do të thotë se, në fund të 15 viteve, qytetarët nuk do të paguajnë mbrapsh 1 miliard euro, por shumë më tepër. Përmes kësaj manovre qeveria e rrit borxhin publik të vendit minimalisht me 10 pikë përqindje të tjera. Edhe pse në librat e shtetit shifra zyrtare e borxhit është 70 për qind e Prodhimit Kombëtar, me programin e koncesioneve borxhi real i vendit është 80 për qind e Prodhimit Kombëtar. Shifra prej 1 miliard euro plus fitimet dhe interesat është një detyrim kontigjent, i cili do të paguhet në të ardhmen. Pra, qeveria po merr borxh nga e ardhmja për të shpenzuar tani.
Fatura për qytetarët
Aktualisht, taksapaguesit shqiptarë paguajnë 7.3 miliardë lekë ose rreth 58 milionë dollarë në vit për koncesionet e dhëna nga qeveria, kryesisht në fushën e shëndetësisë. Por me programin e ri 1 miliard euro të PPP-ve, kjo faturë do të rritet me shpejtësi. Qeveria pretendon se ka hapësirë ligjore që të shpenzojë deri në 5 për qind të të ardhurave tatimore në vit për të paguar konçesionarët privatë dhe është shprehur e vendosur për ta shfrytëzuar plotësisht këtë hapësirë. Aktualisht, të ardhurat tatimore janë rreth 360 miliardë lekë dhe brenda dy apo tre viteve pritet të shkojnë në 400 miliardë lekë. Kjo do të thotë se, duke filluar nga 2018-ta buxheti do të paguajë rreth 20 miliardë lekë ose 170 milionë dollarë në vit për të paguar bizneset private të koncesioneve. Kjo faturë marramendëse do të kufizojë hapësirën për investime publike dhe shpenzime sociale për shtresat në nevojë.
Borxhi vetëm rritet
Në vitin 2013 kur erdhi në pushtet qeveria e gjeti borxhin publik 62 për qind të Prodhimit Kombëtar. Tashmë që po përfundon mandati katërvjeçar, borxhi është rritur në 72 për qind e PBB-së. Pas rritjes së frikshme të treguesit zyrtar, përmes projektit të koncesioneve, qeveria është duke rritur sërish borxhin, por këtë herë në mënyrë të fshehtë dhe në kurriz të së ardhmes. Ky është një skenar i ngjashëm me atë të qeverisë greke, e cila kontraktoi borxh të fshehtë nga biznesi përmes skemave të ngjashme me ato që po vë në jetë qeveria shqiptare. Në Greqi, kriza shpërtheu kur qeveria nuk kishte më para të shlyente borxhet ndaj biznesit. Shqipëria po shkon në të njëjtën rrugë, teksa një pjesë e rëndësishme e buxhetit po kalçifikohet vetëm për të shlyer koncesionet shpesh të dyshuara për korrupsion. Nuk është rastësi që projekti i koncesioneve u lajmërua vetëm, pasi qeveria largoi Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili një skemë të tillë e kundërshtoi fuqishëm për sa kohë ishte në Shqipëri.
SYRI.net