Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Durrës, Joni Myshketa, ka zgjedhur të jetë pranë qytetarëve në çdo hap të fushatës së tij, duke vendosur në qendër të saj komunikimin e drejtpërdrejtë dhe kontaktin njerëzor. Në një mesazh të shpërndarë këtë të diel, ai shprehet se energjia dhe shpresa që gjen në takimet me qytetarët janë forca e vërtetë e ndryshimit.
“Kam zgjedhur t’i takoj vetë njerëzit, të jem sa më afër tyre, të dëgjoj çdo shqetësim, çdo ide, çdo nevojë,” shkruan Myshketa, duke theksuar se këtë rrugëtim politik e ka ndërmarrë bashkë me familjen e tij. “Sepse aty është forca ime — dhe kjo është fytyra e politikës që dua të përfaqësoj: njerëzorja dhe familjarja si shtyllat kryesore të një demokracie të vërtetë.”
Ai pranon se zhgënjimi nga politika e tre dekadave të fundit është i thellë, por thekson me bindje se dëshira për ndryshim dhe besimi tek e ardhmja janë ende të gjalla në zemrat e qytetarëve.
“Është koha të votojmë për veten, për familjen, për Durrësin,” përfundon ai, me një thirrje të qartë për reflektim dhe veprim.
Postimi i plotë:
Një e diel plot energji dhe shpresë në Durrës!
Kam zgjedhur t’i takoj vetë njerëzit, të jem sa më afër tyre, të dëgjoj çdo shqetësim, çdo ide, çdo nevojë.
Kam zgjedhur t’i takoj së bashku me familjen time, sepse aty është forca ime — dhe kjo është fytyra e politikës që dua të përfaqësoj: njerëzorja dhe familjarja si shtyllat kryesore të një demokracie të vërtetë.
Në çdo takim, ndjej sa e madhe është dëshira për të renë, për ndryshim, për shpresë. Zhgënjimi nga politika e 30 viteve është i thellë, por besimi se mund të bëjmë më mirë është ende gjallë.
Ju uroj një të diel të mbarë dhe ju ftoj të reflektojmë: është koha të votojmë për veten, për familjen, për Durrësin.
Zgjohu dhe Voto Zgjuar!