Javë aspak e qetë te Milani. Përveç rezultateve të ndeshjeve të fundit, shqetësim për kuqezinjtë përbëjnë edhe dëmtimet. Në ndeshjen e fundit me Udinesen u dëmtuan De Sciglio dhe Bonaventura. Mesfushori udhëtoi drejt Finlandës, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale prej lëndimit në tendinën e muskulit të kofshës së majtë.
I pranishëm në operacion ishte edhe përgjegjësi i stafit mjekësor të Milanit, doktor Rodolfo Tavana, i cili deklaroi se Bonaventura do të kthehet të luajë vetëm në sezonin e ardhshëm, pasi problemi muskulor i futbollistit është mjaft serioz. Më e mirë situata e De Sciglio-s, që ka nisur terapinë për problemin në kaviljen e djathtë dhe do të jetë në dispozicion të skuadrës pas një muaji.
Këto mungesa, kanë bërë që për ndeshjen ndaj Sampdorias në kampionat, të nxehin motorët dy blerjet e reja të “Djallit”, Ocampos dhe Deulofeu, që shpresojnë ta nisin sfidën në formacionin titullar.
Gerard Deulofeu u prezantua këtë të mërkurë si blerja e fundit e Milanit nga faqja e klubit në “Facebook”. Mesfushori katalan i huazuar nga Evertoni premtoi se do të luftojë për fanellën kuqezi, ndërsa i lëshoi një sinjal trajnerit Montella, duke deklaruar se preferon të aktivizohet në krahun e majtë, në mënyrë që të shënojë sa më tepër gola.