Joni Myshketa, këshilltar i Koalicionit Euroatlantik në Bashkinë e Durrësit denoncoi në MCN Live dakordësinë mes PS-PL për të tjetërsuar një sipërfaqe të madhe pyjore për t’i hapur rrugë resortit “Lura 5” në zonën e Gjirit të Lalzit. Myshketa tha se votimi u argumentua me vendimin e KKT-së dhe kaloi në dakordësi.
“Pati debate , pati edhe një dakordësi mes anëtarëve të Partisë së Lirisë që bashkuan votat me kolegët e tyre të PS, duke treguar qartasi që rrjedhin nga e njëjta forca politike, pavarësisht artificave për të garuar me demokratët e Rithemelimit në 2023-sin. Bëhet fjalë për një dakordësi për transferimin e një sipërfaqeje pyjore, një sipërfaqe gati 8652 metra/katror karshi subjektit Lura, që do ndërtojë resortin Lura 5. Tjetërsohet një sipërfaqe pyjore gati 9 mijë metra/katror, në favor të një biznesi që do ndërtojë një resort.
Ka një dashakeqësi karshi natyrës. Është dhënë vendimi nga KKT, dhe kryeministri ynë i madh global. Duket qartazi qasja e bashkisë dhe jo pavarësia e bashkisë për të qenë realisht pranë qytetarëve. Shohim një dakordësi të pakuptimtë mes PL-së dhe PS-së për të ngritur kartonin jeshil për të hequr sipërfaqet e gjelbërta, karshi investitorëve.
Kaloi si vendim në dakordësi. Disa prej kolegëve të mi të PD-së aktuale s’e votuan këtë marrëveshje. Por pjesa më e madhe e tyre bashkuan votat me mazhorancën që dominohet nga Rilindja dhe tjetërsuan një sipërfaqe pyjore duke i hapur rrugën betonizimit. S’jam kundër investimeve, por duhet të kenë një kriter, jo në kurriz të natyrës dhe komuniteteve, në dobi të një grushti njerëz. Nevoja e këtij investimi u argumentua me faktin që është marrë një leje ndërtimi nga KKT dhe bashkia s’ka asnjë lloj autonomie për të kundërshtuar qoftë edhe vendimeve që janë kundër interesave të qytetarëve”.