Sondazhet e porositura/ Kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Marçel Hila: E nesërmja është shumë afër, ja, këtu, pak ditë na ndajnë

Nga Marçel Hila

Po, po e pranojmë se ne, Koalicioni Euroatlantik, kemi nga 0,7% deri tek 1,5 % të preferencave. Një e mesme do të ishte aq sa shkencërisht thonë sondazhet e besuara: 1 %. Nëse e marrim si të mirëqenë numrin prej 1.700.000 të zgjedhësve që mund të votojnë këtë radhë, ky 1% do të përkthehej në 17.000 vota. As edhe një më shumë e as edhe një më pak. Që do të thotë se nga veriu i largët e deri në jugun më të thellë, marrim kaq. Sondazhet, hetim me një teknikë të sofistikuar që nuk gabon, kaq na garanton.
Kështu, pra o popull i Koalicionit Euroatlantik, që ke kohë që bën fushatë e nuk thyhesh e nuk po tkurresh, ose rezisto deri në fund, ose ik. Largohuni të gjithë, ikni në shtëpitë tuaja, bojkotoni pa vonesë! Shkoni ose në partitë e tjera ose ikni fare. Sa të shumtë janë ata që do ta donin që kjo thirrje të merrej seriozisht kështu. Se ka shije disfate, dëshpërimi, thyerjeje. Edhe njëherë po jua përsëris: ikni, nuk fitoni asgjë, nuk merrni gjë, nuk merrni as edhe një deputet. Të gjitha përpjekjet e tuaja, sipas kësaj analize të hollë dhe ekzakte, do të shkojnë kot. Do të përfitojnë partitë e mëdha nga votat e besnikërisë suaj. Kuptohet, e atij minimumi prej 17.000 vetash në të gjithë territorin. A ia vlen të vazhdoni të militoni? Të qëndroni? Të ushqeni shpresë????
Por ka mundësi që kjo të mos ndodhë. Ka shumë mundësi. Është e disata herë që më qëllon të dëgjoj nga gojë të ndryshme të anëtarëve të partisë sime që thonë se sapo të mbarojnë zgjedhjet do të fillojë një riorganizim kapilar i partisë, kudo: në fshatra, në rrugë e në rrugica, në qyteza e në qytete. A nuk i bën kujt përshtypje ky optimizëm në kohën e disfatës më të madhe? Një “dashuri në kohën e kolerës”. Po, disfatë, se të marrësh 1 për qind e të jesh super i sigurt se në këto shifra nuk ka disfatë, por se ngritja do të ndodhë? A nuk është si një si paradoks? Pse kjo shpresë? Pse kjo bindje? Kjo këmbëngulje?
Sepse … së pari është krejt e thjeshtë: nuk do të ketë fitore as madhështore e as spektakolare as nga ana e opozitës madhështore e as nga pala e qeverisë. Nuk është fitore madhështore, kur ajo që fiton është një përzierje, një paçavure, një amalgamë, ku kjo supë, gatimi, është bërë me copëzat e partisë së djathë (ish e majtë) të Ilir Metajt, që është shkrirë me partinë e djathtë të Sali Berishës dhe aty, në këtë gjellë, janë hedhur si erëza pikante, copëza nga Partia e të drejtave të dikurshme të njeriut, sepse është bërë copë-copë e Dulja ka vetëm një thelë, tani të hedhur në të djathtën madhështore. Aty noton edhe Beleri, ky akrobat që e do aq shumë edhe Greqinë por edhe Shqipërinë, si thoshte Gjergj Fishta: “ndizi Zotit një qiri o biri i Adamit/ndizi edhe djallit një tjetër prej dhjami!”. Kemi aty të shkrirë e të tretur mirë, aq mirë sa nuk mund t’i ndash më, partitë e Shpëtim Idriit, që e ka aq shumë zët Grekun, saqë qan çdo ditë të përkujtimit të masakrave greke mbi çamët e mban zi, me lot, por ja që ka ardhur të bashkojë votat me Dulen. Jo për idealin për Çamërinë! Jo se ata të dy duhen, por se bashkimi bën fuqinë kundër Edit e po ëndërrojnë fitoren armiqtë e dikurshëm. Kulm hipokrizie, që na shitet si moment force. Brenda kësaj supe sillen si kokrra groshe në kusi edhe anëtarët e partisë së kreut të Klanit të Zemunit. Kreu, pra Agron Duka, një djalë shijakas me shumë karakter, ka gëlltitur shpifjet që i ka bërë legjenda e i vrapon pas tij e ka pranuar të shkrihet në partinë e tij, thjesht të marrë ndonjë votë. (Një prej klaneve më të rrezikshëm mafioze të Beogradit, i mafies serbe, që pati kulmin në vitet 1999-2003, kohë kur zoti Duka ishte në qeveri si ministër bujqësie, një ndër organizatat më të fuqishme kriminale të Evropës së Jugut). Është për t’u çuditur që ky djalë garip, i bindur plotësisht në vlerat e të së djathtës si Agroni, ka gëlltitur shpifjet sistematike të krye-legjendës. Goni i jonë, tani shumë i kënaqur se i është siguruar partisë së tij vend deputeti, si fëmija që lëpin akulloren, po lëpin atë të vjedhtë që u hodh mbi të, deri sa u bë bozë e edhe ai vetë qesharak. Në kompletin e erëzave pikante që të bëjnë gjellën sa më të shijshme, do të jetë edhe ai që pat dehur femrat në rininë e tij me uiski. Aty, plot egërsi që nuk honepset dhe me erën e qelbët të një krenarie lokaliste, sillet e përsillet edhe ajo që bëri parti që të shembte Partinë Demokratike, që e bëri figurë, por nga urrejtja, u marros. Por iu kthye urrejtja në gëzim, sepse e pa vetën në listën e mbyllur, të sigurt për një vend në parlament. (Aq kërkon, asgjë më shumë. Kjo i mjafton. Ideali kombëtar për të është një vend në parlament). Aty, pjesë e kësaj supe pa shije dhe të neveritshme, do të jetë edhe jetëgjati politik, gjithmonë i maturi dhe aktori Fatmir, që me imazhin e një burrë shteti me kravatë e flokët e lyer, u dhuron buzëqeshje kamerave kur e marrin në intervistë. Në krye, si koka e krapit në tavë, do të jetë hajduti i floririt të Krrabës, kryeministri terrorist (sipas fjalëve të legjendës), që i kujtuar prej halli, ndryshoi parimet e tij e nga i majtë u bë brenda nate i djathtë, dhe partia e tij që kishte emrin Lëvizja Socialiste, u bë shtëpi e Lirive dhe e vlerave konservatore. Çfarë akrobati. Po, por lum ata që e gëzojnë, sepse do të marrin prej tij 250.000 vota të sigurta e do të sigurojnë një fitore aq të nevojshme kundër të pa burrit Edi Rama. Ja, pra, e gjithë kjo akrobaci e bëri që në sytë e të djathtëve të mos konsiderohet më si ai që shihej. Biografia e tij ndryshoi: nga kryeministër hajdut e terrorist, u konvertua në të burgosur politik, në martir të demokracisë … me bekimin e legjendës.
Nuk do të mbaroja, sikur të vija në varg e vistër karakteristikat e koalicionit madhështor. Po e lë, sepse, edhe nëse ky koalicion fiton e ia del të na tundë para hundëve fitoren kolosale, ajo fitore nuk është e tillë. Thoshte Shën Agostini se kur një diçka nuk ka moralin brenda, nuk ia vlen të mbështetet: as qeveri, as shtet, as pushtet. Mos iu bind atyre që punojnë për fitore madhështore, por që nuk kanë moral! Çfarë lidhjeje ka mes Ilir Metajt, të konvertuarit të fundit nga i majtë ekstrem në të djathtë ekstrem, dhe ish të përndjekurve politikë, që kanë kaluar një jetë në mjerim e burgje, në internime e shtypje? Ilir Metaj ka ardhur në koalicionin madhështor si i djathtë, si i penduar, apo si interesaxhi? Përgjigja dihet, edhe mirë madje. Nëse fiton Ilir Metaj, a ka drejtësi këtu? A ka moral? Jo, edhe madhështorët vetë, me gjithë peshën e dijes që kanë mbi supe, e dinë se kjo është farsë, një gënjeshtër vetëm për t’u ngrënë, por vazhdojnë me kokëfortësi fushatën e tam-tameve, duke dashur të na bindin se këtë herë bëhet fjalë për një diçka të pa ndodhur më parë: për një triumf gjigand. A e besojnë madhështorët këtë? Jo, as ata vetë nuk e besojnë, por ligji i propagandës e pranon. Të pyesin Shën Agostin se ua tregon ai.
Atëherë, edhe nëse fitojnë, ky populli i 1 për qindshit, që jemi ne, e ndjen, e kupton me intuitë si dhe e ka krejt qartësi se përpjekje të vërteta e të mirëfillta na presin pas zgjedhjeve. Pasi Madhështorët të marrin përgjigje pozitive, në qoftë se do të jetë pozitive, e pasi të buçasin nga ballkonet se korrën një fitore gjigante, efekti do të jetë ky: është ushqim pa shije, një fitore pa sens, diçka qesharake. Që nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë: armiqtë e deri djeshëm bëhen bashkë thjesht për vota, duke gënjyer vetveten se po e duan shumë njeri-tjetrin e duke qenë krejtësisht të vetëdijshëm se kjo nuk është fitore por një Fake victory
Po nëse Madhështorët nuk fitojnë? Si nuk fitojnë? Kanë sjellë Lacivitën, mrekullibërësin! Ai do të na e gatuajë triumfin patjetër. Po nëse nuk ndodh? Një shkërmoqje e frikshme e pret koalicionin. Kam parasysh, ose më mirë të themi, marrim një përgjigje se amalgama Ilir, Sali, Kujtim, Agron, Shpëtim Vangjel, Beler, Fatmir, and &, kur nuk fitoi sot, nuk fiton më. Edhe pse doktori e uli vetën aq shumë sa hajdutëve u dha titullin martir dhe terroristëve u dhuroi statusin e të burgosur politik. Lind pyetja: Kush do të largohet i pari? Doktori, që i bëri të besojnë këtë përrallë? Apo Kujtim Gjuzi, që i vdesin shpresat hyjë në Parlament edhe njëherë, si zë i fuqishëm i konservatorizmit? E i bën karshillëk Ilirit e i thotë se konservatori i vërtetë jam unë e jo ti? Apo ikin Beleri, Idizi apo Goni i Shijakut? Një katrahurë akuzash reciproke e largimesh do të shohim e do të dëgjojmë. Të bëhemi gati, të rezervojmë kohë televizive për këtë.
Ndërsa, edhe nëse fiton Edi, as kjo nuk është fitore. Kur kanë hyrë në burg treçereku i qeverisë e kur janë bërë për burg çereku tjetër??? Çfarë fitoje madhështore është kjo? Një fund i palavdishëm i pret edhe ata. Në rast se do të fitojnë, do të brohorasin, por kur të arrestohen dinozaurët e pushtetshëm, si do t’i përcjellin në burg? Do t’i harrojnë menjëherë? Do të thonë se dalin shpejt? Se SPAKU është i blerë, me synimin për të shkatërruar Partinë Socialiste? Se na kanë inat? Se imperializmi amerikan ka komplotuar? Keq shumë i kanë punët.

3. Të kthejmë tek ne, tek një për qindshi.
Së pari, disa që më kanë lexuar deri këtu, le të kënaqen e të gëzojnë, se jemi me të vërtetë një për qind. Na kanë shkatërruar, na kanë asgjësuar, na kanë sabotuar. Sa mirë për ata që e dëshirojnë këtë. Kur po ndodhte divorci, kur Partia Demokratike po ndahej, shumë kolegë, anëtarë partie ma garantonin me hare në fytyrë se do të ishim vetëm diku të dy për qind. Edhe më keq për ne: një për qind. Kaq do të mbeteni më thoshin. Tani, tek ky ishulli ynë i vogël, tek ky një për qindshi, po ngrihet ajo që e thashë pak më parë. Kërkesa që pas zgjedhjeve, të organizohemi si parti e djathtë, që nuk i mban shpresat tek Ilir i djathtë, ish-hajdut i floririt, e as te Beleri, që qe akuzuar si ai që i priu shtegun terroristëve grekë në vitin 1994 të kryenin vrasje ndaj ushtarakëve shqiptarë, që u dënua në Greqi për këtë e na erdhi si peshqesh për të bërë një vepër të madhe: ta bënte Himarën Greqi. Kjo partia e jonë e një për qindshit nuk ka nga këto personazhe. Po mendon që të bëhet strumbullari për organizimin e të së djathtës së vërtetë. E di mirë, se të gjithë ata që po i lexojnë këto rreshtat e fundit, do të jenë duke u gajasur së qeshuri: Jeni të papërfillshëm – do të më thonë, – për një qëllim kaq të madh.
Sido që të shkojnë punët, ju garantoj se ky një për qindshi nuk do të shpërbehet.
4. Stefan Zvajg, në librin e tij kushtuar Magelanit, thotë se ai ia doli t’i mbushte mendjen autoriteteve mbretërore spanjolle e të merrte prej tyre tri anije karavela, që të udhëtonte drejt një rruge të re, që nuk e kishte bërë askush: të kërkonte udhë për në Inditë, me qëllim tregtie. Që të mos rrihnin një rrugë të largët e me rreziqe që bënin zakonisht, por një tjetër. U nis. Gjashtë muaj eci para, në ujërat e paanë të oqeanit Atlantik. Kur një ditë dalloi tokë. E pas një udhëtimit tjetër pa ndalesë e pa kthim pas, mbërriti deri te ishujt e Oqeanisë. Zbuloi se bota ishte e rrumbullakët. Kjo në sajë të këmbënguljes së tij. Sikur të ishte përkulur, thyer, dorëzuar, nuk do të ndodhte ajo që ndodhi atëherë. Spanja nuk do të fitonte pushtet mbi Amerikat. Kështu është në këtë rastin tonë: ky një për qindshi nuk është një grusht njerëz, sa ekuipazhi i Magelanit, por 17.000 veta. Do ecim. Do të synojmë, së pari, ndërtimin e një të djathte të vërtetë, pa heretikët që hynë te PD ja si Kali i Trojës. Vetëm këtë mendoni: doktor legjenda, ky sfinks paepur, i kërkon nder një të burgosuri për korrupsion, që t’i japë disa vota! Ai e di se Ilir Metaj është hajdut, por po ha fjalët e veta, thjesht që të marrë pushtet. O Zot ku kemi rënë! Doktori të kërkojë vota nga hajduti i floririt, nga kryeministri terrorist? Deri këtu? Te hajduti kërkohet fitorja? Po çfarë fitoreje është kjo? Madhështore? Mos u tallni me shqiptarët e shkretë që po mbyllin tranzicionin me këto gallata groteske.
5. Koncepti i të së majtës e i të së djathtës duhet kërkuar pas në histori. Në anën e djathtë të Parlamentit Francez të kohës së revolucionit, (Konvencion) rrinin zhirondinët, ndërsa në anën e majtë jakobinët, ata që morën pushtetin e propozuan masa drastike kundër kundërshtarëve të tyre, zhirondinëve, jakobinët, prej ku dolën Marati, Dantoni e Robeispieri, që prenë kokat në gijotinë e ju prenë atyre vetë kokat në gijotinë të tjerë. Deja vu me komunizmin shqiptar. Kur kryetari i seancës ia jepte fjalën dikujt i drejtohej anës së majtë e thoshte: kush e do nga e majta ta marrë fjalën; dhe nga e djathta: kush do ta marrë fjalën? Këtu nisi. E Majta dhe e djathta. Pastaj, idetë e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë u çmendën, siç çmendet një mendje njerëzore. U kthyen, duke ecur rrugës së tyre historike, në vrasëse: projektuan vrasje, burgje, izolim, shtypje, privime. Mjafton të shohim pak historinë tonë të komunizmit për të kuptuar se çfarë ndodhi. Ato idetë u tjetërsuan e u bënë vdekjeprurëse. Kjo ishte e majta klasike revolucionare. Ndërsa e djathta, e djathta e shkretë, u bë konservatore, që do të thotë të ruash traditën, pronën, besimin e të mos i besosh asnjë ideje novatore. Konservatorizmi është një lloj kundërgazi, që të mbron nga helmet e iluzionit të krijimit të njeriut të ri, që pretendon ndërtimin e një shoqëria të drejtë e të moralshme.
Sot jemi aq shumë larg nga kjo ndarja e majtë dhe e djathtë, sa që nuk kanë më asnjë lidhje me kohen kur u farkëtuan si terma. Nëse do të lexohen materiale që flasin për socializmin e konservatorizmin, të përshtatur sot, jemi në një konstekst tjetër. E majta sot synon të prekë aty ku nuk mendonte revolucioni zulmëmadh francez qe priste pa hezitim koka, e nuk e mendonte as pallati i stërmadh i diktaturës komuniste: e majta e sotme, në rrafshin moral, është hedhur në sulm që të përkrahë çdo liri perverse, të sfidojë ligjet hyjnore, ndërsa e djathta i mëshon vlerave që sistematikisht vihen në rrezik. E majta, në planin ekonomik e politik kërkon, tinëzisht e diku edhe hapur, që disa sektorë të ekonomisë t’i menaxhojë shteti (në Angli, duke ua marrë privatit e duke i vënën nën kontrollin shtetëror) e të ardhurat të përdorën për shtresat në nevojë; ndërsa e djathta është krejtësisht e kundërta e kësaj e synon që të ulë taksat e t’i lërë kapitalistit sa më shumë liri menaxhimi për investime e kështu shton punësimin dhe të ardhurat, konkurrencën e kërkimin shkencor e t’i vërë sa më pak taksa.
Mes dy botëve në luftë njëra me tjetrën, në të kaluarën e afërt, nuk ka mbetur asgjë Krejt e majta staliniste ka përfunduar në disfatë të plotë. Këto dy dallime, në rrafshin botëror, janë shumë të paqta, pa konflikt, sepse aty nuk është e përfshirë ideologjia. Të majtat nuk kanë qartësi ideore, të djathtat kërkojnë mbrojtjen e vlerave tradicionale.
Po tek ne? Mes të majtës dhe të djathtës, në këtë këndvështrim, në Shqipëri, nuk ka asnjë dallim. Po ai program, po ai konceptim. Vetëm se tinëzisht përpiqen që të hyjnë në fuqi ligje të perversionit.
Në lidhje me ndryshimet mes të majtëve dhe të djathtëve tek ne nuk bëhet fjalë për konceptime e dallime, por për grupime. Kush vjedh më shumë e kush përfiton më shumë do të ishte tipike slogani për të majtët tonë. Nuk i di askush parimet e të së djathtës moderne dhe as që përpiqet t’i aplikojë. Belbëzojnë kur i pyet se çfarë je. Jam i majtë thotë, pa ditur se për çfarë bëhet fjalë. Të djathtët duhet të tregojnë se janë të tillë, se janë kundër abortit, por nuk e shprehin këtë, (aborti është në fuqi në Shqipëri që në vitin 1992 e askush nuk e atakon). I mbetet të djathtëve shqiptarë të thonë se jemi të tillë vetëm se jemi kundër korrupsionit. Por kjo nuk është politikë e djathtë, por një politikë që mbështet ligjin kundër korrupsionit. Të djathtët duhet të bëhen gati të kundërshtojë në parlament ligjet që do t’u shkojnë për aprovim e që janë aprovimi i martesave homoseksuale, eutanazia, dhënia e mitrës me qira, lindjet surrogate. Duhet të themi se ka një kufi të qartë moral që përkthehet në vendim politik. Por e djathta dhe e majta në Shqipëri janë vetëm dy grupime, që vinë nga larg në kohë: e majta vjen nga partizanët e brigadave që pretenduan se çliruan Shqipërinë dhe vendosën diktaturën, ndërsa e djathta që u dërrmua nga ushtritë komuniste të furnizuara me armët e dhëna nga Aleatët Anglezë, e mbi të cilën ra e gjithë urrejtja e komunistëve. E majta ekstreme staliniste, Partia e Punës e Shqipërisë, u fishk, pranoi një program politik demokratik, braktisi monizmin dhe prodhoi figurat politike tipike të tranzicionit të saj: ideologun Servet Pëllumi e militantin Gramoz Ruçi, ndërsa antikomunizmi patriotik i Mehdi dhe Mithat Frahërit – që bënë thirrje që të mos përqafohej komunizmi – përjetuan dhimbjet e mëdha të braktisjes së familjeve të tyre, morën vesh se e gjithë klasa e vjetër politike u eliminua me plumb apo në burgje, familjarët i shkuan në burgje e në internime e tani, më keq nuk bëhet, kjo e djathë ka si përfaqësues që i ka dalë së fundi Ilir Metaj e Kujtim Gjuzi.
6. Në këtë panoramë duhet theksuar se djathta tek ne duhet ribërë. Duhet ngritur ledhi kundër anti vlerave që sjell sot post-modernizmi, kundër atyre propozimeve që shkatërrojnë shoqërinë. Është i nevojshëm një konceptim i djathë politik dhe një angazhim që të çinstalohet grupimi i hajdutëve që e mjeruan këtë vend, e vodhën dhe e varfëruan. Kjo është detyra. Por edhe të mbrohet familja, të ruhen vlerat, të mbrohet besimi. Kjo ka nevojë jo për individë, por për parti. Jo për një e dy njerëz, që janë ideologë e të formuar, por për struktura të mirë informuara e potencialisht e shpirtërisht të vendosura që mbrojnë një program të tillë. Është nevoja për misionarë. Nuk e bën këtë mbrojtje të shoqërisë as Flamur Noka, as Ed Paloka, as Dule e as Beleri, as Shpëtim Idrize e as Fatmir Mediu, (këta jo se nuk duan, por nuk e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë, edhe pse Fatmiri është republikan si Çrampi e Regani dhe Kujtim Gjuzi konservator si Margaret Thecer). Duhet pikërisht një mbrojtje e njeriut, e individit, nga këto helme, ruajtje nga toksiket e majta që kanë zanafillën larg, por që u transformuan e u konvertuan nga vegla të tiranisë në mbrojtës të çdo perversioni. Duhet një shtet i fortë, me struktura efikase, që të mbrojë qytetarin nga sa u tha. Kjo është sfida. E majtë dhe e djathtë nuk thonë asgjë. Por duhet testuar e djathta: për njeriut apo kundër tij: this is the question.
Sot, e ngërthyer në një dyluftim të marrë, klasa politike, si në mundje, lufton me veten, pa marrë parasysh sfidat që e rrezikojnë shoqërinë. Kush e mund tjetrin? Apo duhet bërë një pyetje tjetër: kush i del për zot njeriut? Unë jam plotësisht i sigurt se vetëm një e djathtë që mbron vlerat, besimin, njeriun, familjen dhe dinjitetin, ajo do ta fitojë sfidën, sepse është imperativ i kohës. Prandaj, Shqipëria ka nevojë për një të djathtë të vërtetë, të azhurnuar, të organizuar, me shikim të qartë e me program të mirë përcaktuar. E djathta e Ilir Metajt dhe e Kujtim Gjuzit nuk janë zgjidhje, sepse, së pari, nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë, e së dyti se janë në këtë front vetëm për interesat e tyre; ndërsa e majta e Ramës do të jetë gati të bëjë çdo kompromis me djallin, mjaft që t’i shtojë një ditë më shumë pushtet vetës.
Uroj që Koalicioni Euroatlantik, bashkë me partitë e tjera të spektrit të djathtë, popullor dhe evropian, të përgatisin terrenin, menjëherë pas zgjedhjeve, për një konceptim të një politike të tillë që merr parasysh sfidat që po vijnë e i përkthen në vijë politike.
Me këtë qëllim e në këtë këndvështrim, ai një për qindshi i sotëm i yni, do të bëhet shumë i madh e do të ketë edhe bekimin e Zotit, sepse është në përputhje edhe me qëllimet e tij: që ta ndihmojë njeriun, qytetarin e ta mbrojë atë. Atëherë do të vijë dita e një të djathte të vërtetë. Për këtë do të punojmë.
Sot aleanca madhështore nuk e di se ku ka kokën: a te SPAKU a të të burgosurit e saj ekselentë, apo tek ata që janë gati të hyjnë brenda, a të anëtarët e koalicionit që po presin thelën. Po çfarë konceptimi konservator kanë?
Kemi historinë tonë të kohëve të fundit: vetëm kur ra komunizmi monist, qe e mundur formimi i partive të reja opozitare me frymë demokratike, kështu, sapo të mbarojë ky ngërç i sotëm, do të çlirohet shoqëria që të përqafojë një konceptim tjetër demokratik e evropianist, pa mbeturinat e infektuara të Belinda Balluku e Taulant Balla e pa idiotësitë që na shiten si demokraci tip Flamur Noka e Ed Paloka.
Jemi afër. Koha punon për këtë çasje.
Thoshte një filozof italian: një i marrë është një i marrë, dhjetë janë dhjetë të marrë, dhjetë mijë të marrë janë forcë historike. Jemi më shumë se dhjetë mijë, jemi edhe 35.000, ka shumë mundësi që jemi 2 përqind, ndoshta edhe 3. Të gjithë të vendosur, me ide të qarta, në prag të një risie të madhe: do të jemi forcë historike.
A mos 2 për qindshi, 34.000 anëtarët dhe votuesit, kërkojnë të gjithë realizimin e këtyre ideve? Nuk kam iluzione, ndoshta edhe jo, por ka shumë mundësi se po. Sepse jo të gjithë kanë ndjenjën e kësaj detyre, por ka mundësi se ligji i brendshëm moral natyror i dikton të orientohen nga vlerat religjioze. Por duhet thënë se lidershipi është pro këtyre qëllimeve. Lideri di të tërheqë turmat e t’i drejtojë aty ku është qëllimi: krijimi i një të djathë të vërtetë, konservatore. Liderishipi do ta kryejë këtë mision. Sot, e djathta e Ilir Metajt, nuk është në lartësinë e kësaj detyre. Ai kërkon vetëm lirimin nga burgu, duke synuar, me ndihmën e legjendës, mbylljen e SPAK. Po çfarë parimesh evropiane të së djathtës! Jam i sigurt se të gjithë ata që po i lexojnë këtë rreshta, e pranojnë përmbajtjen. Nuk është misioni i të djathtës të thërrasë Ilir Metajn në radhët e saj si i konvertuari i orëve të fundit, por është nevoja reciproke që i ka bashkuar. Halli i madh që u ka rënë sipër. Të kthjelltit shohin manovrat e fundit të të dështuarve mashtrues.
Gjithçka do të fillojë pas zgjedhjeve. The day after. Jemi krejt të bindur, se ky 2 për qindshi do të angazhohet seriozisht.

Artikulli paraprakDenoncimi i Bashës: Nënkryetari i Bashkisë së Lezhës dhe drejtori i KESH-it, po blejnë vota. SPAK të veprojë menjëherë
Artikulli tjetërNeli Demi: Votoni Nr. 4 për një Shqipëri të drejtë dhe të pakapur nga korrupsioni