Importet e naftës janë rritur në tremujorin e parë me 33 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importet në sasi shënuan 109 mijë tonë në 2016 nga 73 mijë vitin e kaluar. Burimet pranë tregut pohuan se, shkaku kryesor për rritjen e importeve të karburanteve është mbyllja e rafinerisë së ARMO-s, nafta e cilës vitin që shkoi zuri rreth një të tretën e tregut vendas.
Për shkak të problemeve të administrimit që po kalon ARMO, e cila tashmë është zhytur në borxhe dhe në sekuestro nga dhjetëra kreditorë, ka mbyllur tërësisht aktivitetin e prodhimit. Ekspertët pohojnë se, nëse rafineria nuk do të kishte akumuluar keqadministrimin e dy dekadave, ky vit do të ishte një periudhë e artë për të. Çmimet e ulta në tregjet ndërkombëtare favorizojnë përpunimin në vend të naftës që nxirret nga nëntoka shqiptare.
Për shkak të cilësisë së ulët, (ku nafta bruto shqiptare prodhon vetëm 20% diesel) ajo aktualisht është e pashitshme në tregjet ndërkombëtare. Tregu botëror është i tejngopur me naftë të cilësisë së lartë dhe për prodhimin shqiptar nuk ka pothuajse fare kërkesë, shpjegojnë burimet pranë kompanive. Aktualisht i gjithë prodhimi po depozitohet në pritje të ndryshimit të situatës. Nëse ARMO do të ishte në punë, nafta e nxjerrë në vend do të mund të përpunohej në vend dhe të shitej po në vend, duke e mbyllur ciklin dhe po kështu, duke shpëtuar industrinë drejt falimentit të pashmangshëm.