Senati amerikan konfirmoi ish-shefin ekzekutiv të kompanisë Exxon Mobil, Rex Tillerson në postin e sekretarit të Shtetit. Senati e votoi zotin Tillerson në krye të Departamentit të Shtetit me 56 vota pro dhe 43 kundër. Të gjithë republikanët kanë votuar pro Tillersonit, ndërsa shumica e senatorëve demokratë kanë votuar kundër. Mbështetësit e Tillersonit në Senat u shprehën të bindur se ai do ta drejtojë me integritet Departamentin e Shtetit. Pas votimit nga Senati, zoti Tillerson shkoi në Shtëpinë e Bardhë për ceremoninë e betimit në prani të presidentit Donald Trump. Presidenti u shpreh i bindur se zoti Tillerson do të japë gjithë potencialin e tij në politikën e jashtme të vendit dhe në dobi të përforcimit të sigurisë në botë. “Kemi trashëguar sfida në Lindjen e Mesme dhe kudo në botë, por besoj se mund të arrihet paqja e stabiliteti në këto kohë të vështira”, tha presidenti, kurse sekretari i ri i Shtetit premtoi se do të punojë në shërbim të interesave të popullit amerikan. Kryediplomati i ri amerikan, Rex Tillerson u tha dje punonjësve të Departamentit të Shtetit se diplomatët duhet të lejohen të shprehin mendimet e tyre politike, por shtoi se, “nuk mund të lejojmë që bindjet tona personale të pengojnë aftësinë për të punuar si ekip”. Këtë javë rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit nënshkruan një MEMO ku shprehin kundërshtimin ndaj urdhrit të presidentit Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Zoti Tillerson u tha punonjësve se do të përqafojë “disa parime bazë” të llogaridhënies, ndershmërisë dhe respektit për të garantuar se Departamenti i Shtetit do të funksionojë “në mënyrën më produktive dhe më të efektshme të mundur”. Në postin e ri, zoti Tillerson do të përballet me një numër sfidash globale që i trashëgon nga administrata e kaluar, si lufta civile në Siri, rritja e aftësive bërthamore të Koresë së Veriut, dhe shtimi i agresivitetit të Kinës dhe Rusisë.
Basha uron sekretarin e ri të Shtetit Rex Tillerson
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar zgjedhjen e sekretarit të ri të Shtetit Rex Tillerson, pas votimit në Senatin amerikan dhe emërimit të tij në detyrë. Basha e ka shoqëruar urimin e tij dhe me një foto të zotit Tillerson, në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Urime të përzemërta sekretarit të 69-të të Shtetit, Rex Tillerson! Suksese në sfidat që e presin, në një kohë kur bota ka shumë nevojë për vendosmërinë dhe udhëheqjen e SHBA”, shprehet Basha.