11 Maji si përballje e gënjeshtrave të Ramës dhe Berishës përballë të vërtetave të hidhura të Lulzim Bashës

NGA NAMIR LAPARDHAJA

Fushatës zgjedhore të 11 Majit i erdhi fundi dhe si çdo rrugëtim, të dielën drejtuesit politik do të përballen me verdiktin e popullit. Sido që të jetë ai, përsa kohë që nuk ka një zgjidhje tjetër më të mirë se demokracia me votë të drejtpërdrejtë, kjo ngelet mënyra e vetme për të vlerësuar qeverisjen dhe opozitën.

Ndërkohë që themi këtë, nuk mund të rrimë pa analizuar se çfarë ofruan Rama, Berisha dhe Basha në këtë fushatë.

I pari, pas një qeverisjeje 12-vjeçare, me skandale dhe afera, me një shoqëri të përgjysmuar, për shkak të largimeve masive dhe pasi i kanë rënë të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë në burg, nuk mban asnjë përgjegjësi. Përkundrazi, e shndërroi këtë fushatë në tallava dhe në spektakël, duke parë se asetin më të madh kishte Sali Berishën dhe njerëzit e tij përreth, të cilët janë shndërruar në personazhe argëtuese. Në fakt, ky përfundim i mandatit të tretë, duhet të ishte një mandatë “ekzekutimi” politik për Edi Ramën, duhet të ishte dita e llogaridhënies dhe e mbajtjes së përgjegjësisë, për gjithçka që nuk ka shkuar mirë në këto vite.

Nga ana tjetër, Berisha, njëjtë si Rama, e ngriti këtë fushatë nëpërmjet mashtrimeve të vazhdueshme, ku më i madhi ishte prodhimi i një retorike për heqjen e shpalljes non grata, për vizitën e tij të mundshme në SHBA, apo për një lajm “bombë”që do të vinte javën e fundit. Në fakt, u nisën të heqin ‘non gratën’ me 6 milionë dollarë dhe përfunduan te postimi në twiter i një gazetari amerikan i cili ka pyetur dezhurnin e DASH-it dhe ai i paska thënë se Berisha mund të udhëtojë në Amerikë.

Një parti që e shpreson fitoren duke e ngritur mbi gënjeshtrat dhe mashtrimet, nuk ofron asnjë alternativë më të mirë se pushteti dhe nuk arrin të ndahet nga e shkuara korruptive, në të vërtetë nuk ofron asnjë rrugëzgjidhje për shqiptarët.

Në dallim nga Rama dhe Berisha, pavarësisht sulmeve të paprecedenta nga të gjitha anët, Lulzim Basha, ka arritur të bëjë një fushatë moderne, relaksuese dhe disa prej gjetjeve të tij si “O Rame, ku i ke shokët” apo “7×7=313” ishin refrenet e vërteta të kësaj fushate. Jo vetëm kaq, por, në thelb, ato tregojnë të vërtetën e madhe me të cilën pushteti i sotëm duhet të përballet.

Me një ekip brilant në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Shkodër, por edhe në qytete të tjera, Basha dhe grupimi i tij politik, ofruan një fushatë qytetare dhe moderne, duke u përballur me hallet e njerëzve, duke i dëgjuar ata dhe duke ofruan programin dhe zgjidhjen e Koalicionit Euroatlantik. Mbi të gjitha ky ekip kandidatësh dhe Basha vetë, (Pavarësisht bllokadës mediatike dhe sondazhiste), krijuan një kontrast goditës me Rama-Berishën dhe listat e tyre plot “flamuj të kuq” për SPAK.

Se sa do kenë sukses, kjo ngelet për t’u parë ditën e diel, por e rëndësishme është që as Basha as ndonjë prej kandidatëve të tij, nuk mbart frikëra nga e shkuara, nga përballja me drejtësinë apo nga ndonjë hetim i mundshëm.

Nëse Rama dhe Berisha janë të “detyruar” për shkak të frikës nga hetimet e SPAK të sillen ashtu siç sillen dhe të veprojnë ashtu siç veprojnë, Basha është i relaksuar, sepse ai e ka të qartë që një votë për Ramën, thjesht do të nxjerr shokët e kryeministrit nga burgu, për shkak të presionit dhe kapjes së drejtësisë, ashtu sikurse një votë për Berishën, do të “aministonte” Ilir Metën, si modelin me të cilin Berisha ka zgjedhur t’i ofrojë shqiptarëve për të luftuar korrupsionin. Nuk është përballje e lehtë, por numërimi mbrapsht për “Trekëndëshin e Bermudës” dhe tranzicionin grabitqarë që kërkojnë ta mbajnë me thonj, ka filluar.

Artikulli paraprakJoni Myshketa: Më 11 Maj, qytetarët kanë një alternativë reale, larg hijes së së shkuarës – Koalicionin Euroatlantik
Artikulli tjetërZgjedhjet në Shqipëri drejt agonisë!