Seanca gjyqësore për marrjen e dëshmisë së biznesmenit Ylvi Beqja, dëshmitari i mbrojtur në dosjen “Shullazi”, ka dështuar dje për të katërtën herë brenda një jave. Përsëri shkak për shtyrjen janë bërë avokatët. I arrestuari Gilmando Dani ka qenë pa mbrojtës ligjor, pasi edhe mbrojtësi i caktuar kryesisht nuk është paraqitur. Prokuroria kërkon ta legjitimojë dëshminë e biznesmenit si provë dhe mungesa e avokatëve për organin e akuzës është mënyrë për të mos e marrë atë. Ndërsa, avokatët pretendojnë se marrja e kësaj dëshmie është në kundërshtim me ligjin. Dëshmitari duhet të dëshmonte me video në mënyrë që Gjykata ta njohë si provë dëshminë e tij që do t’i bashkangjitet dosjes hetimore. Gjykata ndërpreu seancën për të vazhduar të premten në ora 15:00.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash.
Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.