Berisha i kërkoi dje Ramës në Parlament të bëjë transparencën mbi paratë për mjetet luksoze e super të shtrenjta që përdor djali i tij Gregor Rama, ndërsa solli në vëmendje automjetin e tipit të fundit “BMW”, i cili kushton 160 mijë euro, por që është i paregjistruar.
“Vendi është banditistan. Sapo doli puna e Eskobarit, puna e parë që bënë për t’i dhënë imunitet është se i organizuan konferencën e shtypit, në vend që ta arrestonin i organizuan konferencën që të akuzonte Sali Berishën dhe të vishte imunitetin politik. Pastaj u thanë diplomatëve këtu dhe në botë se ai fshihet edhe në pronat e kryetarit të Parlamentit.
Pastaj, kur ministri i Drejtësisë kërkoi arrestimin e tij, i hëngri kokën atij për të shpëtuar Balilin.
Kjo është një organizatë kriminale dhe Shqipëria është një banditistan përderisa të ketë këtë organizatë në krye. Po marrim pak trafikantin tjetër. Ministri i ngarkuar për politikat e rendit, sigurisë dhe luftës kundër krimit është shtyllë kryesore e krimit në vend. E akuzojnë dy ministra të tjerë të koalicionit, e kemi akuzuar dhe ne me qindra herë këtu, e kanë akuzuar edhe mediat. Dhe në vend se të skuqet, del dhe bën rrugaçin këtu për të treguar se i biri i kujt është, i dy kontrabandistëve me moral kontrabandisti, nuk kishte se si të rritej ky përveçse ky që është.
Pra, ky ministër është i vetmi kriminel me pushtet të lartë që ka skaf. Ekzistojnë dokumente, ku me noter ja u dha Habilajve skafin. Ekzistojnë dokumente që me veturën e tij e përdorin Habilajt për të kaluar kufirin 28 herë, për të transportuar drogën natyrisht. Ekzistojnë denoncime se Habilajt janë bashkëpunëtorët më të ngushtë në trafik me Eskobarin. A ju kujtohen ju bombat që u vunë para e mbrapa këtij dhe familjarëve të këtij (Tahirit)? Kush u arrestua, kush është brenda? Cili është autori që vuri për të asgjësuar një mender njeri? Katër dinamite në Tiranë u vunë. I vuri banda e Sajmir Tahirit dhe kjo është e faktuar. Sot s’ka njeri të arrestuar, sot s’ka njeri të akuzuar, vetëm për njërin u arrestuan tetë Gjutaj dhe Brukaj, edhe njerëz që s’kishin qenë kurrë në Shqipëri. Ky është një njeri i pafytyrë që del këtu si një rrugaç ordiner sillet e bërtet pasi ka marrë një dozë dhe kris e ikën pastaj.
Pra, a është kjo banditokraci? A është bandit një ministër që shkojnë e filmojnë në hotele dhe zhduk gjurmët?! A është bandit një ministër që mban skaf trafiku?! A është bandit një ministër, që pasi vrasin tjetrin në Shëngjergj, pasi Prokuroria thotë që është vrasje, Besnik Pudja është vrarë, merr në kundërshtim me çdo gjë dhe prish provat?! A është bandit një njeri që djeg Laboratorin e Kriminalistikës për hatër të Serezit?! A është bandit një njeri që dërgon drejtor të Portit të Vlorës ushtarin e Shullazit, se ja kërkojnë Habilajt?! A është bandit ky, a është banditokraci kjo?
Një ministër tjetër, që si një bandit falsifikon shifra e fakte në funksion të bandës?! A është bandit ai që shet dhe mbush xhepat me paratë e të sëmurëve me kancer?! Ky soj është më i lig se çdo bandit.
Ai që nuk zbaton ligjin, ai që nuk zbaton vendimet e gjykatës çfarë është? A mundet një deputet të mos zbatojë ligjet dhe vendimet e gjykatës? E bën vetëm një bandit këtë. Po ata që i nënshtrohen atij çfarë janë? Janë mjeranë!
Të na thotë Edi Rama pak se ku i mori i biri, që s’ka firmosur kurrë në bordero, as në taksa, paratë e ‘BMV’-së ultralux?”, shprehet Berisha.