Albina DEDE
Në komisionin tonë, pra Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë u shqyrtua: “Projektligji për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit”. Duhet të citoj që në fillim që ne opozita mbështesim çdo iniciativë që është në të mirë të qytetarëve. Por duhet thënë se u luajt me këtë nismë për arsye të fillimit të etheve elektorale. Nisma erdhi nga deputeti Mamo, por shumë shpejt qeveria shprehu “gjoja rezerva” dhe njëkohësisht garantoi se do të integrohen maksimalisht propozimet e paraqitura në këtë nismë. Sa për dijeni të gjitha vendet e rajonit i rregullojnë çështjet e vështirësisë së profesionit me legjislacionin e punës dhe të sigurimeve shoqërore, si dhe me kontratat e punës. Po ashtu dhe ne kemi të njëjtin legjislacion, por që nuk ka gjetur zbatim.
Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin për mbrojtjen, shëndetin e sigurinë në punë. Kjo është një nismë ligjore jo e plotë dhe vjen vetëm për qëllime të fushatës elektorale.
Këto lloj nismash ligjore duhet të vijnë të kompletuara dhe të unifikuara për të gjithë profesionet që punojnë në kushte të vështira dhe që meritojnë status si punjonësit e industrisë metalurgjike, miniera, tipografi. Punonjës që punojnë nën rrezatim.
Kjo nismë nuk zgjedh problemet që kanë ende sot punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit në Ballsh, të cilët nuk janë paguar prej katër muajsh. Ky projektligj duhet të ishte i unifikuar me përcaktimet e legjislacionit për trajtimin e veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë të miratuara më parë pa opozitën, por një qokë elektorale. I keni nëpërkëmbur ato dhe duke i lënë edhe pa paga në kushte të vështira për mbijetesë. Flitet në status dhe për përfitimet shëndetësore, herë falas e herë nëpërmjet skemës. As andej e as këtej. Por të gjithë e dimë si është katandis sot sektori shëndetësor.
Amulli, kaos, mungesa në medikamente, aparatura, mjekë, çdo gjë blihet nga qytetarët, madje blejnë medikamentet të skaduara, me etiketa të ndryshuara, duke e shndërruar shëndetësinë nga humane në kriminale. Në vend të qytetarit sot në qendër të punës e axhendës qeveritare është koncesionari. Qytetarët paguajnë e vetëm paguajnë e asgjë nuk përfitojnë nga shërbimet publike. Drejt privatit të gjithë edhe pse varfëria ka pllakosur kudo.
Drejt privatit për t’i shtuar xhepit të monstrave që kanë mbërthyer e shndërruar në biznes edhe shëndetin. Orientohesh edhe për një fasho e deri te protezat super të shtrenjta te klientelistët. Më vjen turp kur gjendem pranë një të sëmuri e të afërmit thonë i bleva të gjitha. Ku po shkon ky vend? Nuk ka fjalë për të përshkruar trishtimin tek pashë në rrjetet sociale foton e ikonës së kinematografisë shqiptare, Robert Ndrenika në dremitjen e antishpresës korridoreve të QSUT. Kjo është “dhurata” falas e mjekësisë së Rilindjes! Turp është pak për ju kusarë të pacipë, mashtrues të pashoqë që guxoni e mbushni ekranet me dokrra reformash e progresi.
Ndjehem po aq e trishtuar sa një fëmijë për prindin nga kjo pamje makabre që nuk do as përkthim as koment! Kjo foto e të madhit Ndrenika është pasqyra ku çakejtë mavi shfaqin fytyrën e vërtetë. Njëherazi e quaj foto-alarm për çdo shqiptar! Ju të mjerë mendoni mirë, se sapo të ikni nga pushteti askush nuk do t’u respektojë, ndërsa artistë si Ndrenika respektohen e nderohen nga të gjithë e gjithmonë, madje mund të them se ata janë në lavdinë e tyre të përjetshëm.
Varfëria e pamundësia është ulur këmbëkryq kudo. Ky fillim viti i gjen shqiptarët në trishtimin më të madh ekonomik e social të krahasuar vetëm me vitet e errëta të diktaturës. Kaluan afër 4 vite në përshkallëzim të llahtarshëm të varfërisë, e cila shtresën e mesme e degradoi në limitet e mbijetesës e shtresën vulnerabël e ka degdisur rrugëve të Europës, ndërsa të pamundurit mbushin kronikat e zeza me vetëvrasje. Denoncime të shumta nga qytetarët nga zona ime Mirdita dhe gjithashtu nga Puka, për mbifaturim të abonentëve për muajin dhjetor 400-500 kv abonentë familjarë dhe nga 1000 e në 2000 kv privatëve për të ulur humbjet dhe përgjigjja është e ka fajin sistemi. Katër vitet mavi u transformuan në vite të errëta skamjeje, korrupsioni, pseudoreformash.
Droga po helmon vendin dhe Europën, ndërkohë që pushteti e policia janë gardianët e saj dhe të trafikantëve. Ka kohë që nuk bëhet fjalë për realizim premtimesh apo pritshmëri. Vetëm një gjë progreson e ajo është propaganda.
Pushtetet e tjera demokratike të këtij vendi krijuar me shumë mund injorohen në rastin më të mirë, por shantazhi e blerja, presioni e intimidimi janë program ditor i koordinuar i Edi Ramës dhe bandës së tij. Vendi është nën varfëri, terror e arrogancë. Vetë deputetë, ministra e faktorë relevantë në mazhorancë denoncojnë e vetëdenoncohen, por asgjë dhe asgjë veçse gangrenizim i mëtejmë i ekonomisë dhe shoqërisë!
Diplomaci e çakorduar pa busull kombëtare, lojëra të rrezikshme të “liderit” kleptomitoman me ekuilibrat kombëtare e rajonale. Me pak fjalë e shqip çmenduri qeverisëse që na ktheu në paskohë. Në paskohën e baballarëve të një paskohe kriminale e oligarkike. Koha e zezë e Edvin Ramës po tejkalon dhe paskohën e etërve të tyre. Ata shtetëzonin këta përvetësojnë, ata dënonin kundërshtarët këta i linçojnë, i heqin nga puna e i denigrojnë. Një paskohë që rikthen izolimin duke u thirrur për integrim.
Thikë në palcë të çdo shqiptar është përkufizimi i qeverisjes së klikës uzurpatore. Nuk bëhet më fjalë për programe, por për mbijetëse. Dhe paradoksalisht propaganda vazhdon në përmasat e marrëzisë! Edhe çështja më emergjente, ajo e zgjedhjeve të lira në Shqipëri është e lidhur me problemin e madh të kriminalizimit të politikës, të krimit të organizuar, të drogës. Këto janë probleme që opozita i ka denoncuar prej tre vitesh. Këto janë probleme për të cilat opozita ka luftuar dhe ka arritur të ndryshojë ligjet, siç është ligji për dekriminalizimin. Por, që për fat të keq, nuk po gjen zbatim për shkak të mungesës së vullnetit politik.
Vullneti politik mungon sepse Edi Rama dhe koalicioni i tij qeverisës e ka lidhur fatin me krimin, me drogën.
Ajo që po ndodh në politikën mazhoritare qeveritare është e paprecedent për një shtet që pretendon alfën e demokracisë. Ujqër të uritur të çartur prej babëzisë e të dezorientuar nga afrimi i gjykimit të drejtësisë po përleshen pa skrupuj. Natyrisht ky stan këtë bulmet do të prodhonte. Asgjë e re dhe e paparashikuar në stanin e çakejve mavi! Nuk ka debat as luftë idesh mbi principe demokratike, por përleshje zullumqarësh kleptokratë të mazhorancës.
Shqiptarët duhet t’i besojnë alternativës së opozitës dhe jo të presin paqen mafioze të klaneve të drogës e korrupsionit. Shqiptarët duan e shpresojnë në një alternativë zhvillimi dhe jo të konfliktet në stanin e çakejve që i pret ndëshkimi! Dhe prisni se ky është fillimi i fundit të serialit kriminal kanabist. Kërma çdo ditë shton kundërmimin derisa të arrijë kutërbimin. Paradokset kanë marrë qytetari! Ata që njihen si shitblerës votash flasin me zhargon perëndimor për ndershmëri politike! Ata që janë produkt bandash vrastare e kriminelët me damkë në Europë i sollën në zyrat kryesore të pushtetit e derisa uzurpuan karriget e shumta të Parlamentit sot paciptësisht flasin për dekriminalizim! Në pamje të parë duket se kjo tablo kriminale mbyll përfundimisht dyert e shpresës. Forca jonë nuk matet me kartona parlamentare, por me shenjtërinë e kauzave që po mbrojmë për të cilat kemi me vete çdo shqiptar!