Importet e lëndëve të para për industrinë fasone kanë pësuar ulje për tremujorin e parë të 2016 krahasuar me vitin e kaluar, duke paralajmëruar një ecuri më të moderuar të eksportit për këtë industri gjatë periudhës në vijim. Sipas të dhënave nga doganat në tremujorin e parë të vitit importi në regjim të përpunimit aktiv arriti në 22,9 miliardë lekë nga 23.2 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke pësuar një ulje me 1.2 për qind. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se importet e destinuar të regjimit të përpunimit aktiv janë një sinjalizim i parë për ecurinë e eksporteve të mëvonshme në industrinë fason.
Lënda e parë për industrinë fason pa një rritje të shpejtë në vitin 2014, me zgjerim mbi 35 për qind krahasuar me vitin 2013. Sakaq pjesëtarë të tregut në parashikimet e tyre për këtë vit nuk janë treguar shumë optimistë. Rritja e taksave, çmimit të energjisë elektrike dhe ikja e krahut të kualifikuar të punës në emigracion ka përkeqësuar klimën e biznesit në industrinë fasone. Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler dhe Donika Mici nga kompania Doniana, dy kompani që kanë realizuar ciklin e mbyllur e shohin të vështitë këtë vit. Eksportet e sektorit në maksimumin e tyre do të zgjerohen nga 6-10 për qind parashikojnë ata.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 5%, në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse dhe energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë vetëm në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit dhe ka qenë pozitiv në muajt e parë të 2016-s, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë në 2014-ën.
Në kërkim të kostove të lira pas krizës financiare të vitit 2008, Shqipëria u bë një oaz i kërkuar për prodhuesit e këpucës dhe tekstilit. Të dy grupet kanë parë një rritje të admirueshme gjatë dekadës, por duket se ecurinë më të mirë e kanë pasur këpucët, eksportet e të cilave janë trefishuar që nga 2005. Duket se përfshirja në cikël të mbyllur të kompanive të mëdha të prodhimit të këpucës i ka dhënë vlerë më të shtuar eksportit në krahasim me tekstilin, rritja e të cilit, ndonëse e lartë, nuk ka qenë e admirueshme sa e këpucëve. Por me rritjen e barrës fiskale dhe shtimin e konkurrencës në rajon, sektori nuk pret të zgjerohet më shumë se 6% sipas burimeve nga tregu.