Do kemi marrëveshje dhe kulla të reja, por jo llogaridhënie

Nga Afrim Krasniqi

Zgjedhjet bëhen për të ofruar zgjidhje. 11 maji e humbi këtë shans. Ata që ishin konfirmuan vetveten dhe besnikët. Risitë janë minimale dhe jo vendimmarrëse. Katër herë një parti ka pasur mbi 80 mandate, 1991, 1992, 1996 dhe 1997, vetëm në një rast ato prodhuan reforma dhe progres (1992), kur de facto nuk ishte votë partie, por votë për ndryshim sistemi.
Vazhdimi dihet: mazhoranca do shijojë mbipushtetin e pa shqetësuar, do të kemi dobësim të ndjeshëm të jetës parlamentare, të kontrollit e balancës së pushteteve, të rolit të institucioneve të pavarura dhe natyrisht, rënie të lirë të standardeve të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Opozita? Shih listën e mbyllur të Tiranës dhe e kuptojmë si do jetë, opozita që çdo qeveri do të donte të kishte. Do kemi protesta, kontestime, show, marrëveshje të reja, kulla të reja, por jo dorëheqje dhe as llogaridhënie. Drejtësia do hetojë ca raste fatkeqe të individëve që u detyruan të fotografojnë votën, por jo ata që urdhëruan fotografimin e votës dhe as sistemin korruptiv, i cili, duke cituar opozitën e 2009-2012, “vjedh Shqipërinë për të vjedhur vota dhe më pas vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë”. Ata nuk ndryshuan këtë sistem korruptiv, thjesht e perfeksionuan atë.

Kur demokracia devijon, populizmi merr vendime, militantët kontrollojnë pushtetin dhe idetë moderatore refuzohen, është detyrë dhe përgjegjësi e pakicës, – zërave me integritet, të flasin, të veprojnë dhe të reagojnë më shumë, të refuzojnë status quo-n & establishmentin e korruptuar politik dhe të ushqejnë sa munden dije, kulturë e shpresë në vendin ku nga Kalimashi, Q.Murrizit, Elbasani dhe deri në Llogara gjendet e njëjta parullë domethënëse dhe konsensuale “mirë se erdhët në tunel”.

Artikulli paraprakMe 205.500 lekë dhe 525 euro me vete/ Blerje votash në Kukës, arrestohet një person, shpallet në kërkim kryeplaku i fshatit Lusen
Artikulli tjetërPasqyra u ngrit. Por shumëkush nuk deshi të shihte