Pasqyra u ngrit. Por shumëkush nuk deshi të shihte

Ajo që u përpoqëm të bënim nuk ishte thjesht një garë për vota. Ishte një ftesë për reflektim. Një përpjekje për t’i ngritur shoqërisë një pasqyrë përpara — jo për ta turpëruar, por për ta ndihmuar të shihte më qartë, të kuptonte më thellë, dhe ndoshta… të ndryshonte.

Por të shohësh veten ashtu siç je — me plagët, frikërat, vështërsinë për të reaguar, bashkëfajësinë në heshtje — është shumë më e vështirë sesa të kthesh kokën nga ana tjetër.

Dhe kur nuk duam të shohim, shpesh zgjedhim ta thyejmë pasqyrën. Më lehtë të fajësosh atë që tregon realitetin sesa vetë realitetin që përpiqet të të zbulojë.
E kuptoj këtë rezistencë. Nuk e gjykoj. Por më dhëmb.

Sërish: nuk ishte për mua kjo betejë. Ishte për të folur ndryshe. Për të sjellë një politikë që nuk fsheh, nuk gënjen, nuk qetëson me iluzione. Një politikë që kujdeset duke thënë të vërtetën, edhe kur dhemb.

Zhgënjimi i sotëm nuk do të fshijë atë që është thënë, ndjerë dhe ndërtuar me ndershmëri gjatë këtyre muajve. As nuk do të më largojë nga rruga në të cilën kam hyrë.

Sepse pasqyra mund të thyhet, por e vërteta që ajo pasqyron mbetet.

Artikulli paraprakDo kemi marrëveshje dhe kulla të reja, por jo llogaridhënie
Artikulli tjetërBurgu i Durrësit votoi/ Del rezultati, PS fiton aty ku ndodhen Veliaj, Beqaj, Lefter Koka e Bllako!