Nga Joni Myshketa
Numërimi i votave pothuajse ka përfunduar. Qytetarët zgjodhën rrugën që do ndjekin për katër vitet e ardhshme. Nuk do ta fsheh – jam i zhgënjyer. Jo vetëm për rezultatin, por për kontrastin midis asaj që dëgjuam gjatë këtyre muajve dhe asaj që u reflektua në kuti.
Gjatë fushatës, takuam mijëra njerëz. Dëgjuam histori dhimbjeje, zhgënjimi, padrejtësie. Qytetarë që jetojnë ende në kushte të pasigurta pas tërmetit. Pensionistë që nuk arrijnë të blejnë as ilaçet bazë. Familje pa mbështetje. Të gjithë shprehnin një mospajtim të thellë me këtë kastë politike. Na dhanë dorën, na dhanë fjalën se do votonin për ndryshim, kundër një sistemi 35-vjeçar që ka konsumuar çdo shpresë.
Por a u përkthye kjo mërzitje në votë? Fatkeqësisht jo. Shumica zgjodhi sërish të njëjtën rrugë, ndoshta nga frika, nga varësia, apo nga mungesa e besimit te e reja. Ne u përpoqëm të sjellim një fytyrë tjetër të politikës – atë të familjes, të së drejtës, të besimit dhe pronës, larg llumit që ka mbuluar jetën publike. Por nuk ja dolëm. E keqja duket se ka rrënjë më të thella se ç’mendonim.
E pranoj, jam i zhgënjyer dhe i keqardhur. Do të gënjeja po të thosha të kundërtën. Por një gjë nuk kam humbur: lirinë time. Gjatë gjithë kësaj fushate nuk pranova të bëj kompromise me lirinë time – dhe kjo është fitore personale që s’mund të më marrë askush.
Zgjedhjet përfunduan, por misioni im si qytetar i Durrësit, si prind i dy fëmijëve që dua t’i rris në një vend më të drejtë, nuk mbaron këtu. Do vazhdoj të ngre zërin për çdo padrejtësi, do vazhdoj të jem i lirë, dhe shpresoj që zërit tim t’i bashkohen edhe të tjerë.
Këto zgjedhje patën probleme – padyshim. I gjithë aparati shtetëror u vu në lëvizje. Ligje u miratuan në minutën e fundit. Aeroporte u inauguruan papritur. Ligje u shkelën hapur. Presioni ishte i madh, shpesh nën rrogoz. Lista e parregullsive është e gjatë. Por të jesh i lirë dhe të bësh politikë do të thotë të mos e fshehësh realitetin pas justifikimeve.
Së pari, duhet të bëjmë reflektim për veten. Duhet të pranojmë që ndoshta nuk ishim ende gati ta bindnim shumicën për ndryshim. Që shoqëria jonë ka ende nevojë për kurajë – për ta parë të keqen në sy dhe për të thënë “MJAFT” vjedhjes, korrupsionit, padrejtësisë.
Unë nuk do të dorëzohem. Nuk do të ndalem. Kjo është një rrugë e gjatë, sepse e vërteta ecën ngadalë, por arrin gjithmonë në destinacionin e vet. Do të vazhdoj të ndjek vlerat që kam mbrojtur për 18 vite angazhim publik. Do të vazhdoj të them të vërtetën. Do të vazhdoj të jem i lirë.