“Rama dhe Berisha e mbajnë pushtetin nëpërmjet manipulimeve”/ Gjergji Nika: Shqipëria, nevojë për politikë të re

Nga Gjergji Nika

Zgjedhjet janë pasqyra më e qartë e dëshirave të qytetarëve dhe një mekanizëm i domosdoshëm për rinovimin e elitave politike. Për fat të keq, në Shqipëri ky proces është shndërruar në një lojë të mbyllur, ku liderët e vjetër mbajnë pushtetin për dekada, duke penguar qarkullimin e ideve dhe përfaqësimin e brezave të rinj.

Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, për liderë politikë, të cilët jo vetëm që kuptojnë sfidat e shekullit të 21-të, por edhe kanë energjinë, kreativitetin dhe vizionin për t’i adresuar ato. Brezat e rinj janë të përgatitur, të arsimuar dhe të lidhur me botën. Ata përfaqësojnë një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim dhe inovacion politik, ekonomik e shoqëror.

Përkundrazi, liderët e vjetër, si Edi Rama dhe Sali Berisha, shpesh mbështeten në struktura të ngurta, nepotizëm dhe interesa të ngushta që i shërbejnë vetëm një pakice, interesave të ngushta familjare e klienteliste. Ata e mbajnë pushtetin përmes manipulimeve elektorale, mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, pazareve të fshehta dhe kontrollit mbi institucionet publike.

Është koha që kjo situatë të ndryshojë. Demokracia e vërtetë kërkon qarkullimin e elitave dhe përfshirjen e brezave të rinj në procesin e vendimmarrjes.

Liderët e vjetër që nuk arrijnë të përshtaten me realitetet e reja dhe që janë pengesë reale për shoqërinë e zhvillimin duhet të tërhiqen, duke i lënë vendin energjisë, aftësisë dhe vizionit të rinisë.

Vetëm kështu, shoqëritë tona do të mund të ecin përpara, duke ndërtuar institucione të forta, ekonomi të qëndrueshme dhe një të ardhme ku çdo qytetar të ndjehet pjesë e vendimmarrjes. Koha për ndryshim ka ardhur. Koha për një gjeneratë të re udhëheqësish është tani.

Koha për politikë të re e rotacion politik nuk duhet të kalojë!

Meritojmë më shumë se kjo klasë e kalbur politike!

Artikulli paraprakNë fshatin Pishkash gjenden fletë votimi më shumë se numri i votuesve, bllokohet kutia
Artikulli tjetërPresidenti i Këshillit Evropian viziton sot Kosovën, takime me Osmanin dhe Kurtin