Lulzim Basha dhe zgjedhjet e 11 Majit

Nga Namir Lapardhaja

Rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit nuk ishte ai i pritshëm për Koalicionin Euroatlantik dhe për drejtuesin politik të këtij grupimi, Lulzim Basha. Ndonëse u zhvillua një fushatë model, një program ambicioz, një ekip kandidatësh nga më të mirët që kishin partitë politike, sërish rezultati ishte zhgënjyes. Përveçse pikëpyetjeve që ngrenë rezultatet zgjedhore në Shqipëri dhe dilemave të vazhdueshme se çfarë kërkojnë në të vërtetë shqiptarët, në një analizë të hollësishme, ai është rezultat i disa zhvillimeve që nuk janë të lidhura ngushtësisht me ofertën, por ekzistojnë përtej asaj.

Së pari, prej vitesh Lulzim Basha është politikani më i atakuar në Shqipëri. Në një agression të vazhdueshëm ndaj tiij janë zbrazur të gjithë bateritë e sharjeve, të urrejtes, të linçimit, talljes dhe përbuzjes. Ka qenë një orkestër e organizuar nga një politikë që e sheh atë si ‘tradhëtar’ të sistemit, për shkak të mbështetjes së drejtësisë, nga një media e kapur nga politika, nga një oligarki që është në funksion të mbajtjes në këmbë të një sistemi që prodhon korrupsion dhe pandershmëri, duke vijuar deri te emisionet humoristike të fundjavave, të cilat, edhe pse në dukje nuk duken sikur prodhojnë politikë, në raport me figurën e Lulzim Bashës, kanë pasur një koherencë në përbaltje.

Së dyti, ashtu sikurse për partitë e tjera të vogla, edhe për Koalicionin Euroatlantik një disavantazh i madh ka qenë sistemi elektoral, i cili favorizon partitë e mëdha dhe nuk u jep mundësi partive të vogla. Ndonëse Basha, edhe pse nga të vetmit, e kishte kauzë dhe pjesë të programit dhe kërkesave të tij, Shqipërinë një zonë zgjedhore, gjë që do të barazonte votën e shqiptarëve në të gjithë Shqipërinë, Ramës dhe Berishës nuk i interesonte një gjë e tillë, si rezultat i mbajtjes së një sistemi të mbyllur dhe pa shumë mundësi për alternativat e tjera, ashtu siç edhe rezultoi në zgjedhjet e 11 Majit.

Së treti, fatkeqësisht, në Shqipëri politika vijon të jetë e mbërthyer nga një polarizim ekstrem i debatit dhe gjithçka që lind e re ose nuk dëgjohet ose do të anatemohet dhe sigurisht që në krye të këtij anatemimi ka qenë Basha dhe grupimi i tij politik. Është ky polarizim që manipulon njerëzit dhe krijon idenë se përtej dy grupimeve të mëdha, të gjitha ofertat e tjera nuk prodhojnë asgjë. Kjo skemë manipulative gatuhet nga bodrumet propagandistike të pushtetit dhe përhapet në media nëpërmjet njerëzve të paguar, që ditën shfaqen si analistë të pavarur, ndërsa natën firmosin në borderotë e korrupsionit qeveritar të sotëm apo nga ish-korrupsoni i djeshëm.

Së katërti, siç u faktua në disa raste në ditën e zgjedhjeve, fatkeqësisht shqiptarët nuk votojnë të lirë, duke nxjerr në pah jo vetëm varfërinë dhe pamundësinë e madhe, por edhe një qeverisje që, pavarësisht se mburret se ka bërë shumë, sërish i vë të gjitha mekanizmat shtetëror në funksion të mbajtjes së pushtetit, duke filluar nga përdorimi i administratës dhe duke vijuar me rrugë dhe mënyra të dyshimta. Sigurisht që kjo trysni dhe ky realitet, nuk mund të favorizonte në asnjë moment Bashën dhe alternativën e tij, të cilët ishin në krah të kundërt me këtë qasje dhe nuk ‘ofronin’ asnjë mundësi për t’i bërë presion apo dhunë njerëzve në këtë drejtim.

Sigurisht thënë të gjitha këto, nuk kam për qëllim ta shoh problemin vetëm tek elementë ‘të jashtëm’, por e vërteta është se fushata e Lulzim Bashës dhe e kandidatëve të Koalicionit Euroatlantik ka qenë një ndër më të mirat, më qytetaret, me një program të qartë, me në qendër njerëzit, hallet e tyre dhe me një alternativë që mbështeste SPAK dhe drejtësinë pa asnjë rezervë dhe kompromis, si asnjë parti apo grupacion tjetër. Ajo ishte një fushatë modeste nga aspekti ekonomik, pa harxhime dhe pa shpenzime të mëdha, në dallim nga milionat e hedhura nga pjesa tjetër e politikës, që më shumë se sa alternativë, duket se e kanë blerë ‘mbështetjen’ e popullit. Jam i bindur që Basha dhe bashkëpunëtorët e tij do të dijnë ta lexojnë drejt këtë rezultat dhe do të marrin të gjitha vendimet e duhura që ky grupimin në të ardhmen jo vetëm të forcohet, por edhe të zmadhohet në mbështetje dhe përkrahje. Është një alternativë që përbëhet nga njerëz që mund t’i japin vendit.

Artikulli paraprakRisqet e ekonomisë europiane dhe ndikimi në Shqipëri
Artikulli tjetërDetaje nga ngjarja tragjike në Tiranë/ 38-vjeçarja u vetëvra me pistoletë rreth orës 4 të mëngjesit, u gjet pa jetë