Simeone bën diferencën

Fati i Atletiko Madrid varet shumë nga Diego Simeone. Përveçse një strateg i aftë që ndërtoi një skuadër shumë të mirë, ai është edhe një motivues i jashtëzakonshëm. Për ta kuptuar më së miri mjafton të shohësh ndryshimin mes pjesës së parë dhe të dytë të ndeshjes së mbrëmshme të Atletikos me Barcelonën.
Pas një pjese të parë shumë zhgënjyese, të mbyllur me shifrat 2-0 në favor të Barcelonës në “Vicente Kalderon”, Simeone tregoi talentin e tij në dhomat e zhveshjes me një fjalim, të cilit lojtarët e tij ia kanë venë nofkën “Cholina”.
“Ju mund të luani mirë apo keq, por këtu ka më shumë se 55 mijë persona që kanë ardhur t’ju shohin se si lini lëkurën në fushë, se si jepet jeta për fanellën e Atletiko Madrid. Mos u shqetësoni për rezultatin, dilni dhe mbroni këtë fanellë, pasi përfaqëson 55 mijë njerëzit që janë këtu”, ishte britma e luftës e Simeones, e zbuluar nga “Cadena Cope”.
Fjalimi dha menjëherë efekt. Pas pushimit, Atletiko ishte një skuadër e tjetërsuar që shkurtoi diferencën dhe ishte disa herë pranë barazimit, duke ngjallur shanset për të mbijetuar në Kupë.

Artikulli paraprakRonaldo, sportisti më i paguar
Artikulli tjetërTrump: Irani po “luan me zjarr”