Nga Sabina Nika/shteg.org
Më 15 maj 2025, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur kërkesën për gjykim ndaj 11 personave të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në disa vepra penale të rënda, përfshirë “vrasje me paramendim”, “tentativë për vrasje”, “shpërthim me eksploziv” dhe “vjedhje me dhunë”. Kjo kërkesë është rezultat i hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 75/7 të vitit 2022, i njohur ndryshe si dosja “Plumbi i Artë”.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë bashkëpunuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, duke kryer një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në disa qytete të Shqipërisë. Mes të akuzuarve ndodhen emra të njohur për drejtësinë shqiptare, si Suel Çela (i njohur edhe si Marjus Lulaj), Talo Çela, Eljo Bitri, Festim Qoli dhe të tjerë.
Suel Çela akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj Lulzim Mashës në janar 2022 në Tiranë, mbajtje dhe prodhim të armëve pa leje dhe përgatitje për vrasjen e Kastriot Kiles në mars 2022 në Elbasan. Talo Çela akuzohet për disa ngjarje të përgjakshme, përfshirë vrasjen e Fatmira Dedajt në vitin 2013 në Durrës, tentativë për vrasjen e Arben Çetës dhe një sërë grabitjesh me armë në qytete të ndryshme. Eljo Bitri përballet me akuza për shpërthim me eksploziv, disa vrasje në Durrës dhe Elbasan, si dhe dhunë fizike. Ndërkohë, edhe emra të tjerë si Festim Qoli, Agron Mehja, Abedin Mama, Aleks Çela, Florenc Çapia, Ervis Martinaj, Alket Xhixha dhe Elvin Merlika përfshihen në dosje për vepra penale që variojnë nga vrasja, tentativa për vrasje, armëmbajtje pa leje, deri te sigurimi i kushteve për atentate të ndryshme.
SPAK njoftoi gjithashtu se hetimet për këtë çështje mbeten të hapura për të dokumentuar aktivitetin kriminal të bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij grupi, si dhe për raste të tjera kriminale që janë identifikuar së fundmi. Sipas institucionit, ky grup kriminal udhëhiqej nga Suel Çela, i cili akuzohet gjithashtu për organizimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe për përfshirje në atentate me qëllim eliminimin e rivalëve në luftën për kontrollin e territorit në Elbasan dhe zona të tjera të Shqipërisë së Mesme.
Nga vrasjet te kokaina dhe korrupsioni

Në bazë të komunikimeve të koduara SKY/ECC, të zbërthyera në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e drejtësisë në Francë, Belgjikë, Holandë dhe Ekuador, SPAK thotë se grupi i udhëhequr nga Çela kishte krijuar një rrjet të gjerë kriminal që vepronte në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhunë, vrasje dhe korrupsion. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masa sigurie për 21 persona, nga të cilët 18 janë lënë në arrest me burg, ndërsa tre të tjerë janë ndaluar me masa më të lehta.
Sipas SPAK, organizata e Çelës kishte si objektiv eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër kriminal rival në Elbasan, ndërkohë që aktiviteti i paligjshëm i saj financohej nga trafiku i kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. SPAK dokumentoi pesë episode të veçanta kriminale të organizatës, përfshirë një atentat të dështuar ndaj Ardjan Çapjas me snajper në qershor 2020, dy atentate të tjera të parapërgatitura në 2020, dhe dy tentativa për trafikimin e rreth 1.4 ton kokainë nga Ekuadori në vitin 2021. Po ashtu, u evidentua dhe përfshirja në akte korruptive në sistemin e drejtësisë dhe në media.
Në lidhje me korrupsionin, SPAK akuzon ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Dedan Gjoni, se kanë ndihmuar organizatën duke ofruar informacione dhe lehtësira në shkëmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Ndërsa Fetahu ndodhet në masë arresti shtëpiak, Gjoni përballet me akuza të tjera edhe për bashkëpunim me një tjetër grup kriminal.
SPAK thekson se organizata kishte aftësinë të ndikonte në vendimmarrje gjyqësore në mënyrë që të lehtësohej pozita ligjore e anëtarëve të saj dhe, në të kundërt, të rëndohej ajo e kundërshtarëve. Një nga këta kundërshtarë ishte Ardjan Çapja, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të dyfishtë në vitin 2012 dhe që konsiderohej si figura më e fuqishme kriminale në Elbasan përpara përplasjes me grupin e Suel Çelës.
Gjithashtu, në njoftimin e SPAK përmendet edhe manipulimi i opinionit publik si pjesë e strategjisë së organizatës kriminale, duke paraqitur rivalët si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me politikën. Ky manipulim mendohet të ketë sjellë përfitime të dyfishta për grupin e Çelës.
Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuza për përfitime të paligjshme ndaj gazetarëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët dyshohet se janë paguar nga Suel Çela për të ndikuar në opinionin publik përmes raporteve mediatike. Ndaj të dyve është vendosur masa “detyrim për paraqitje”. Në një reagim publik, Hoxha mohoi akuzat dhe i cilësoi veprimet e autoriteteve si të pabazuara dhe në kundërshtim me të drejtën e gazetarit për të informuar.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu një rrjet të sofistikuar të trafikut të kokainës, ku lënda narkotike transportohej nga Amerika Latine drejt Europës, e fshehur në ngarkesa të ligjshme dhe e shpërndarë nëpërmjet porteve të mëdha si Antverp dhe Roterdam. Fitimet e përfituara përdoreshin për të financuar aktivitetin kriminal, për të blerë ndikim në polici, gjyqësor, media dhe për të legalizuar të ardhurat nëpërmjet bizneseve të regjistruara në Shqipëri.
Vendndodhja e Suel Çelës mbetet ende e panjohur për autoritetet. Ai ishte përfshirë më herët në një ngjarje të bujshme në vitin 2017, ku goditi me makinë të blinduar efektivë të policisë në Elbasan, por u shpall i pafajshëm nga gjykata.