Gjermania po bashkëpunon me aleatët e saj për një paketë të re sanksionesh, me synimin për të ushtruar presion mbi Rusinë që të pranojë një armëpushim në luftën me Ukrainën.
Qeveria në Berlin po shqyrton dhe rishqyrton vazhdimisht opsionet e saj në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, deklaroi të hënën zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, gjatë informimit të rregullt për shtyp. Ai shtoi se Bashkimi Evropian pritet të miratojë këtë javë paketën e 17-të të sanksioneve.
Sanksionet e reja të BE-së pritet të synojnë sektorin financiar rus, si pjesë e përpjekjes më të fundit të aleatëve të Ukrainës për të ushtruar presion ndaj presidentit Vladimir Putin që të negociojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës. Sipas agjencisë Bloomberg, BE-ja po përgatitet gjithashtu të vendosë sanksione ndaj bankave të vendeve të treta që mbështesin fushatën ushtarake të Moskës.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të ecin paralelisht me sanksionet evropiane do të varet nga rezultati i bisedës telefonike të planifikuar të hënën midis presidentit amerikan Donald Trump dhe Vladimir Putin, tha Kornelius.
Së bashku me aleatët e saj, Gjermania ka bërë vazhdimisht thirrje që Rusia të pranojë një armëpushim pa kushte, dhe sanksionet e reja synojnë ta shtyjnë Putinin në këtë drejtim, shtoi ai.