Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi sot se, megjithëse 27 vendet anëtare sapo kanë miratuar paketën e 17-të të sanksioneve ndaj Rusisë, tashmë është në përgatitje paketa e 18-të, e cila do të përfshijë masa të mëtejshme të ashpra.
“Ka ardhur koha të rrisim presionin mbi Rusinë për të arritur një armëpushim” në Ukrainë, shkroi ajo në platformën X, pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Më herët, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wandeful, theksoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të shqyrtuar vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë, duke theksuar se përderisa Vladimir Putini nuk tregon vullnet për negociata serioze, evropianët do të jenë të gatshëm të intensifikojnë masat ekzistuese.
Duke folur në Bruksel, në kuadër të një takimi me homologët e tij nga BE, Wandeful shprehu zhgënjimin e Perëndimit për qëndrimin e Moskës. “Është demoralizuese të shohësh që Rusia nuk ka bërë këtë hap. Duhet të reagojmë,” tha ai, duke iu referuar mungesës së një armëpushimi të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar nga ana e Rusisë.
Zyrtari gjerman theksoi gjithashtu se pritshmëritë nga Uashingtoni janë të qarta: “Kemi bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se presim vetëm një gjë nga Rusia – një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte. Gjithashtu presim nga aleatët tanë amerikanë të mos e tolerojnë mungesën e këtij angazhimi nga Moska.”