Protestë në Shkodër për shpronësimet te “Loro Boriçi”

Banorët e shtëpive dhe bizneseve përreth stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës dolën sërish dje në protestë, sepse qeveria kërkon t’i shpronësojë falas ose me vlerë qesharake. Banorët thonë se nuk pranojnë asnjë lloj shpronësimi dhe se nuk do i lëshojmë pronat. “Kam frikë se dikush do me e përvetësu për vete këtë truall këtu dhe nuk e dimë arsyen. Nuk është e logjikshme që të prishen shtëpitë për një parkim. 6 mijë -7 mijë metër katror as në Barcelonë nuk ekziston”, u shpreh një nga protestuesit. Çështja ka dy vite që debatohet dhe sipas banorëve ka dyshime se në këtë zonë ka njerëz të interesuar për ndërtime. “Zotnia kërkon me e marr përkohësisht që nesër-pasnesër me një VKM tjetër të ngrihet një 15-katësh këtu”, tha një banor protestues.
Janë rreth 4 biznese dhe 6 vila në një sipërfaqe prej 7000 metër katrorë që kërkohet të prishet për shkak të ndërtimit të parkimit të stadiumit. Banorët e këtyre zonave e kanë kundërshtuar këtë vendim. Dhe se sipas tyre nuk do të pranojnë asnjë lloj zgjidhje tjetër veçse ruajtjen e shtëpive dhe bizneseve të tyre.
Nga ana e saj, Bashkia e Shkodrës kundërshton shembjen e 8 objekteve që preken nga ndërtimi i parkingut të stadiumit “Loro Boriçi”. Përmes një shkrese zyrtare dërguar para disa kohësh ministres Gjermeni, Bashkia e Shkodrës kërkon të rishikohet projekti dhe hapësira e parkimit. Sipas shkresës që Bashkia i ka dërguar ministres Gjermeni, shpronësimet nuk kompensojnë dëmet dhe kostot e banorëve të shtëpive që parashikohen të shemben. “Nuk është marrë mendimi i banorëve. Shpronësimet nuk kompensojnë dëmet dhe kostot. Në projektin e 2015, s’kishte hapësira shtesë. Vendet e parkimit janë përcaktuar sipas projektit. Të rishikohet projekti dhe hapësira e parkimit”, thuhet në shkresën e Bashkisë.

Artikulli paraprak214 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi
Artikulli tjetërGjushi, korrupsion me ndërtimet në zonën arkeologjike në Durrës