Burokracitë pengojnë deklarimin e etnisë për komunitetin rom dhe egjiptian

Organizata të shoqërisë civile që përfaqësojnë komunitetet rome dhe egjiptiane i janë drejtuar me një shkresë zyrtare ministrisë së Brendshme, duke i kërkuar zbatimin e vendimit të qeverisë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për vetëdeklarimin e përkatësisë etnike.

VKM-ja e datës 26 dhjetor 2024, e miratuar në bazë të ligjit për pakicat kombëtare, përcakton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare përmes një komisioni të posaçëm pranë ministrisë së Brendshme.

Gentian Sejrani nga Qendra “Drejtësi Sociale”, tha për Citizens.al, se mungesa e këtij komisioni po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të anëtarëve të komuniteteve.

“Në qoftë se një person [nga pakicat kombëtare] do që të marrë një vërtetim që i përket minoritetit egjiptian apo rom për arsye se do të fitojë nga bursa, përjashtimi i taksave vendore, apo nga çdo lloj programi tjetër që është pozitiv për të, nuk e përfiton dot sepse duhet të ketë këtë vërtetimin,” shpjegon Sejrani.

Sipas organizatave, mos-ngritja e këtij komisioni po pengon qasjen e komuniteteve në shërbime bazë si ulja në çerdhe, librat falas apo përfitimi nga kuotat në arsimin e lartë.

Më parë, vërtetimet jepeshin nga vetë organizatat e shoqërisë civile, por pas hyrjes në fuqi të VKM-së së vitit 2024, kjo praktikë nuk lejohet më – tashmë përkatësia etnike njihet vetëm kur vërtetimi lëshohet nga institucionet shtetërore.

Sipas relacionit që shoqëron vendimin e qeverisë, komisioni i vetëdeklarimit mblidhet të paktën dy herë në vit, ose sa herë që një e katërta e anëtarëve të tij e kërkon këtë.

Komisioni shqyrton dhe vlerëson formularët e personave që deklarojnë përkatësinë, më pas i pasqyron të dhënat në lista brenda 30 ditëve nga depozitimi i formularëve dhe në raste të veçanta, kur ka dyshime për saktësinë e vetëidentifikimit, kryhen verifikime duke kërkuar të dhëna nga regjistrat civilë.

Vendimi për konfirmimin ose jo të vetëidentifikimit duhet të jepet brenda 60 ditëve nga nisja e verifikimeve e më pas njoftohen personat përkatës. Sipas vendimit të qeverisë, për vendimet e komisionit ka dhe mundësi apelimi.

Mungesa e funksionalitetit të këtij komisioni është kthyer në pengesë serioze për qytetarët që i përkasin komuniteteve egjiptiane dhe rome për të përfituar nga të drejtat e garantuara me ligj.

Ky komunitet mbetet ndër më pak të përkrahurat dhe përfaqësuarat në sistemin politik shqiptar. Fakti se për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre vijojnë të angazhohen 13 organizata, e konfirmon një gjë të tillë./ citizens.al

Artikulli paraprakSapo mbarojnë zgjedhjet, qeveria heq maskën/ Formalizon kritikat ndaj SPAK-ut
Artikulli tjetërOperacion me shkallë të gjerë/ Policia zbarkon në Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë. Kontrolle dhe urdhër-arreste!