Pasi siguroi mandatin e 9-të falë tifozëve të Partizanit, Erion Braçe ka bërë thirrjen e parë politike pas zgjedhjeve: qeveria të paguajë për stadiumin dhe akademinë private të klubit “Partizani”. Mesazhi i shpërndarë sot është, në formë, korrekt. Por në përmbajtje, është një lobim i drejtpërdrejtë për të justifikuar dhënien e miliona eurove publike për një investim privat që lidhet drejtpërdrejt me vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën, dhe mikun e afërt të tij, Gaz Demin.
Në deklaratën e tij, Braçe thotë se stadiumi është ndërtuar 100% me fondet e Gaz Demit dhe se qeveria “ia ka borxh” një mbështetje financiare. Por faktet tregojnë tjetër gjë. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 183, datë 9 mars 2016, qeveria i ka dhuruar Gaz Demit kompleksin sportiv ushtarak “Skënderbej” me 37 mijë m² tokë dhe 5,164 m² ndërtesa.
Ky dhurim nuk ishte simbolik. Ishte bazë për ndërtimin e stadiumit dhe akademisë “Partizani”. Dhe sipas raporteve të inteligjencës financiare, 50% e pronësisë së këtij investimi është e Olsi Ramës, përmes një kontrate të brendshme që nuk figuron në QKR, por që është denoncuar më parë nga agjencitë anti-krim si marrëdhënie ortakërie faktike.
Tani, pasi investimi u bë mbi një pasuri publike të dhuruar, po përgatitet një ligj i personalizuar, që do të përfshijë rimbursim të drejtpërdrejtë nga shteti, sipas modelit të një “sponsorizimi kombëtar për sportin”, që në realitet është një justifikim për të kthyer mbrapsht 21 milionë euro në formën e një subvencioni të ligjëruar. E gjitha, për një klub që nuk është shtetëror, nuk është federatë, nuk është institucion public, por një shoqëri aksionare me përfitime private.
Në vitin 2022, qeveria i dha “Partizani SH.A.” 8 milionë euro rimbursim për dëme nga Covid, edhe pse kompania nuk ishte përfitues i tenderëve shtetërorë, siç e kërkonte akt-normativi. Ishte një precedent që sot po shërben si argument për rimbursim të plotë.
Ndërkohë, që nga viti 2014, kompania nuk ka paguar asnjë taksë, deklaron humbje çdo vit dhe ka përfituar falje gjobash në mënyrë të përsëritur. Tani, përmes ndërhyrjes së Braçes, kërkohet që shteti jo vetëm të mos marrë gjë, por të paguajë gjithçka, si shpërblim për investim privat mbi tokë publike të falur.
Kërkesa e Braçes për të shembur “rrënojat pranë akademisë”, në mënyrë që të hapet rruga për ndërtim të ri, nuk është për sportin. Është për ndërtimin e pallateve të reja. Pjesa e mbetur prej 7000 m² që Rama premtoi se nuk do ta jepte, është tani në qendër të presionit politik. Dhe nëse ligji miratohet, ajo tokë do të përfundojë e betonuar nga e njëjta dyshe: Gaz Demi dhe Olsi Rama.
Kjo nuk është ndihmë për sportin. Është kthim borxhi mes klientëve politikë dhe përfituesve të heshtur. Dhe përmes një ligji të përgatitur në mënyrë të personalizuar, Shqipëria do të ketë rastin unikal ku shteti rimburson një stadium privat, ndërtuar mbi tokë të falur, në pronësi të personave më të afërt me kreun e qeverisë./Pamfleti