Gjikuria “i ngul kthetrat” edhe në Gjirokastër! Merr tenderin megjithëse ofroi 600 milionë më shumë

As ujësjellësit nuk i shpëtojnë “kthetrave” të kompanisë Gjikuria. Në Gjirokastër, një tjetër tender publik ka përfunduar në duart e një bashkimi operatorësh të drejtuar nga Gjikuria sh.p.k., pavarësisht se katër kompani kishin ofruar çmime më të ulëta – dhe në një rast, me rreth 600 milionë lekë të vjetra më pak me TVSH!

Objekti i tenderit është ndërtimi i ujësjellësve në fshatrat Fushëbardhë dhe Zhulat, në Bashkinë Gjirokastër. Procedura u zhvillua nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Gjirokastër SH.A, me një fond limit prej 248 milionë lekësh të reja pa TVSH, ose afërsisht 3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Fituesi? Bashkimi i operatorëve “Gjikuria” në pronësi të Florenc dhe Milo Gjikuria dhe “EC Pro Partners” në pronësi të Emiliano Delilaj dhe Migel Ali.

Oferta e tyre: 225.5 milionë lekë të reja pa TVSH, që përbën 90.85% të fondit limit. Një përqindje që ngre vetvetiu pikëpyetje mbi garën e zhvilluar.

Ironia është se nga 6 kompani pjesëmarrëse, katër kishin oferta më të ulëta, por çuditërisht “gara” u fitua nga një ofertë që thuajse “prek” tavanin e fondit. Diferenca mes ofertës fituese dhe më të lirat? Plot 600 milionë lekë të vjetra me TVSH, një shumë që mund të ndërtonte një tjetër ujësjellës.

Ky tender i dyshimtë me numër reference REF-34685-12-26-2024 është vetëm një në listën e gjatë ku Gjikuria del “fitues” përkundër konkurrencës më të lirë. Një model që shton dyshimet se jo gjithmonë çmimi më i ulët fiton, por shpesh ai më “i preferuari”./JOQ

Artikulli paraprakOperacioni Shqipëri-Itali kundër trafikut ndërkombëtar të drogës! GJKKO lë në fuqi masat arrest në burg për 11 të dyshuarit, liron avokatin dhe dy të tjerë
Artikulli tjetërAskush nuk dëshiron ta hajë këtë perime, por ka efekt jashtëzakonisht të mirë për zemrën