Në një renditje prej 40 vendesh të analizuara, Shqipëria pozicionohet në vendin e 10-të për rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve gjatë dhjetë viteve të fundit.
Pavarësisht ritmeve pozitive të rritjes ekonomike, të reflektuara në projeksionet e institucioneve makroekonomike ndërkombëtare, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me vështirësi në përballimin e kostove bazë të jetesës.
Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, që nga viti 2015, indeksi i çmimeve për shportën e konsumit në Shqipëri është rritur me 167%.
Ky nivel e rendit Shqipërinë të dytën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas Serbisë, ku çmimet janë rritur me 175%.
Kosova pason me një rritje prej 154%, ndërsa Mali i Zi shënon një rritje prej 153% për të njëjtën periudhë.
Në krye të listës ndodhet Turqia, me një rritje dramatike prej rreth 1.600% të çmimeve të produkteve bazë që nga viti 2015.
Në të kundërt, Zvicra është vendi me stabilitetin më të lartë të çmimeve, duke regjistruar vetëm 105% rritje në dhjetë vite.
Pas Zvicrës, vendet me tregje më të qëndrueshme janë Irlanda, Qipro dhe Finlanda, ku rritja e çmimeve të ushqimeve nuk ka kaluar pragun e 120%.
Ndërkohë, paga mesatare bruto në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, është rreth 77.500 lekë ose 770 euro në muaj.
Në krahasim, në Serbi kjo shifër arrin në 1.150 euro, duke reflektuar një dallim të ndjeshëm në fuqinë blerëse.
Presionet inflacioniste të shkaktuara nga pandemia dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen globale të çmimeve.
Megjithatë, masat fiskale dhe politikat monetare të zbatuara nga qeveritë dhe bankat qendrore kanë përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nivelin e ndikimit tek konsumatorët në secilin vend./EuronewsAlbania