Eliminimi nga Lazio në Kupën e Italisë nuk ka lënë asnjë pasojë në kampin zikaltër. Të paktën kështu pretendon trajneri i Interit, Stefano Pioli, në prag të derbit numër 168 të Italisë kundër Juventusit. “Shuplaka” e marrë nga bardhekaltërit, sipas 51-vjeçarit, do të shërbejë si motiv për të shumëfishuar energjitë në 16 javët e mbetura të Serisë A.
“Morëm një mësim të mirë nga Lazio dhe tani e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të jemi një skuadër e bashkuar, të luajmë me intensitet, ritëm dhe shpejtësi. Pavarësisht eliminimit kemi treguar se dimë të luajmë me zemër. Kjo është ajo që na duhet të dielën”, u shpreh Pioli.
Në 10 javët e fundit të Serisë A, as Juventusi nuk e ka patur ecurinë e Interit, por Piolit i duhet të thyejë një tabu të karrierës së tij. “Nëse nuk e kam mundur kurrë në karrierën time Juventusin, kjo ka ndodhur, sepse nuk kam qenë trajner i Interit më parë. Juvja është e fortë dhe këtë e thonë statistikat, mentaliteti, lojtarët dhe trajneri i tyre. Ata janë më të fortët e Italisë, por ne mund t’i vëmë në vështirësi”, tha ai.
Sfida e “Juventus Stadium”, sipas Piolit vlen më shumë se tri pikë, por nuk është vendimtare. “Vlen më shumë se tri pikë, sepse jo më kot quhet derbi i Italisë. Çdo fitore na jep besim, ndërsa humbja na largon nga objektivat. Nuk besoj se është sfidë vendimtare si për ne ashtu edhe për Juventusin”, përfundoi Pioli.