Gjatë periudhës 2022–2024, qeveria “Rama” ka shkelur çdo kufi ligjor të prokurimeve dhe koncesioneve publike, duke zhvilluar në fshehtësi 220 tenderë dhe kontrata koncesionare me vlerë mbi 180 milionë euro, të cilat nuk janë publikuar as në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse, as në Buletinin e Prokurimeve Publike.
Këto janë prokurime të paligjshme, jashtë çdo planifikimi buxhetor dhe strategjie zhvillimi, të përdorura për të shpërblyer klientë të qeverisë përmes “qokave” shumëvjeçare, të maskuara si shërbime emergjente apo mirëmbajtje objektesh publike.
Raporti i auditimit të Ministrisë së Financave, që detajon këtë skandal, është bllokuar për publikim me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Sepse ky raport do të trondiste jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe Komisionin Europian, pasi përmban shkelje të rënda në një nga katër kapitujt më të rëndësishëm të negociatave me BE: prokurimet publike dhe transparenca financiare.
Shtatë ministri – përfshirë Arsimin, Shëndetësinë, Bujqësinë, Infrastrukturën, Kulturën, Mjedisin dhe Ministrinë e Sipërmarrjes, si dhe bashkitë më të mëdha të vendit: Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Korça dhe Vlora, kanë zhvilluar në fshehtësi të plotë kontrata 4–5 vjeçare për shërbime që:
-ose janë të mbivendosura me kontrata ekzistuese;
-ose janë dhënë për objekte e impiante që nuk funksionojnë;
-ose janë kryer vetëm në letra, me raporte mbikëqyrëse fiktive.
Në 97 raste, janë dhënë fonde për mirëmbajtje spitalesh, shkollash, rrugësh, portesh, impiantesh uji apo përpunimi mbetjesh, ndërkohë që të njëjtat objekte janë nën kontrata aktive nga tenderë të mëparshëm.
Pra, fondet janë përdorur paralelisht për të njëjtin objekt, në të njëjtën kohë, nga dy kompani të ndryshme.
Këto nuk janë thjesht “shkelje administrative”. Janë vjedhje të pastra, me dijeni të plotë të krerëve të institucioneve dhe me miratim të heshtur politik nga vetë kryeministri.
Sipas raportit, Agjencia e Prokurimeve Publike, APP, ka qenë palë bashkëpunuese në këtë skemë. Ajo ka pranuar dhe certifikuar procedura prokurimi jashtë sistemit, me dokumentacion të paplotë, të padeklaruara dhe me kompani të lidhura drejtpërdrejt me pushtetin lokal apo qendror.
Vlera totale, 180 milionë euro, është mbi tavanin buxhetor vjetor të institucioneve përkatëse. Pra, fondet janë përdorur jashtë miratimit të Kuvendit, duke konsumuar shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për Buxhetin dhe Kodit Penal për shpërdorim fondesh publike.
Dhe nëse këto janë bërë me firmat e ministrave dhe kryebashkiakëve, kryefirma është vetë ajo e Edi Ramës, sepse nuk ekziston praktikë buxhetore në Shqipëri që të kalojë 1 euro jashtë vullnetit të kryeministrit.
Këto tenderë e koncesione janë lehtësisht të gjurmueshme. Janë të padeklaruara, por ekzistojnë me dokumente të brendshme. Janë firmosur nga zyrtarë konkretë, kanë përfituar kompani të caktuara, dhe fondet janë lëvruar nga Thesari i Shtetit.