Nga Edmond Arizaj/ shteg.org
E kemi kollaj ta matim kohën që i duhet ujit të mbushur në burimin më të pastër për t’u qelbur; nga 3-7 ditë. Por si të matim kohën e njeriut që “qelbet” në pushtet? Nuk janë më shumë se 3-6 muaj, koha e “qelbjes” në pushtet në një vend me mungesë kontrolli dhe llogaridhënie. Pra brenda 100 ditëve të para dhe maksimumi në 200 ditë pushtet, nisin të ndihen më pak të ndikuar nga mendimi i të tjerëve, mësohen me privilegjet dhe i quajnë të merituara e të padorëzueshme, humbasin empatinë që e tregonin pa hesap më parë. “Paradoksi i pushtetit” i Dacher Keltner, ku njerëzit e mirë që ngjiten, nisin e ndryshojnë, e shpjegon jo keq. Shumë liderë, apo drejtues të lartë institucionesh, vijnë me premtime të mëdha e të bujshme, por brenda pak ditësh, javësh, e ndonjëherë në raste “të mira” muajsh, nisin shenjat e arrogancës, autokracisë, kapjes së institucionit dhe moslëshimit deri në zbythje nga një më lartë.
Si të kalb pushteti?
Maksimumi, maksimumi, brenda 6 muajsh, nëse nuk ka kontroll serioz institucional, dhe transparencë, nisin erërat e rënda të nepotizmit, interesave personale, interesave ekonomike, zhvendosjes nga parimet, arroganca dhe mendjemadhësia. Natyrshëm era nuk ndihet shpejt sepse parfumi propagandistik ushqehet po aq fort sa korrupsioni moral e material. Nëse thjesht e mendon, simptomat e kalbëzimit politik janë kaq të dukshme ngado të kthehesh: Vetëmburrja kthehet në sistem shtetëror, kritika përbuzet, institucionet kapen me “të besuar”, fjala publike shumëzohet me 0, promovohet servilizmi dhe çdinjitetëzimi për karierrë. Mos më thoni që nuk keni takuar të paktën një herë në jetën tuaj, një injorant në kultimin e parë të fjalës që pas gjashtë muajsh në pozitë, ju flet juve si zbuluesi i teorisë së relativitetit … të pushtetit. Dhe ju, jeni detyruar ta dëgjoni! Ja kjo është qelbja!
Kur qelbet fare?
Pra kur dekompozohet, që as e nuhat dot? Kur fillon të besojë se “ai” është shteti, se pa “atë” gjithçka do marrë fund si në kohën e dinosaurëve, se ikja e tij do të jetë njësoj me kataklizëm dhe s’ka Noe ta shpëtojë. Është ajo koha kur pushtetari nuk ka më turp pse nuk i shërben njerëzve, por përkundrazi është i vetkënaqur si sundues, si gjithçkabërës si do vetë pa pyetur njeri, ose thjesht duke iu servilosur “komandantit” sipas rastit. Ky është dekompozimi total që nuk është më i rrezikshëm për ata, por përkundrazi vendin. Ndryshimi i fytyrës nga shërbyes i popullit, në pashanë e popullit, do pak muaj; ndryshimi i pasojave që lënë këta spahinj, kajmekamë e pashallarë.
A është populli dashnor i diktaturës?
Zgjedhjet e fundit, ku fare pak nuk u rreshtuan pas njërit, apo tjetrit “diktator” prej 26 apo 34 vjetësh, nuk tregojnë këtë. Më shumë tregojnë pasiguri, lodhje, e dëshirë për “qetësi”, pavrësisht se ajo është shtypje. Për liri nuk bëhet fjalë, sepse pavarësisht se tingëllon bukur, është e lodhshme, jo duhet të mbash qëndrime, jo parime, jo duhet të flasësh, jo duhet ndonjë sakrificë e vogël, jo përgjegjësi, jo zhgënjime pas zhgënjimesh nga njerëzit e nga pritshmëritë. E lëmë lirinë mënjanë, sepse ne teorikisht nuk e kemi pasur ndonjëherë.
Si lidhet “i qelburi” me qytetarin?
Krejt thjeshtë, madje krejt lirë. Parimet, idetë, janë hedhur diku në ndonjë kosh, çfarë mbizotëron është: “a fitoj gjë unë, a më jep gjë”. Jo shumë, një vend pune, një leje ndërtimi, një ndihmë ekonomike, një tender, një shuk me euro, një legalizim, një premtim, një projekt…dhe ja ku “i qelburi” i djeshëm edhe në gojën tënde, sot bëhet “burrë i mirë” që të ndihmon. Ky është korrupsioni moral, shumë i frikshëm se ai financiar, sepse ky moleps gjithë popullsinë, jo vetëm pushtetin, dhe pastaj popullsia ndihet në detyrim ndaj pushtetit.
Kemi lindur servilë dhe të pazë?!
Nuk besoj. Nuk besoj se një popull lind i tillë. Por mund të edukohet si i tillë. Breza të tërë që për shekuj janë mësuar ta ngrenë kokën lartë të dëgjojnë se ç’thotë udhëheqësi, dhe ta ndjekin edhe në humnerë, apo të ulin kokën e të skuqin duart nga duartrokitjet kur udhëheqësit u flasin, apo të presin poshtë ballkonit të udhëheqësit mos u hedh një copë ushqim, nuk e përcjellin perceptimin e lirisë si të drejtë, por si rrezik. Le t’i shtojmë pak kësaj edhe sjelljen “kombëtariste” e rajonale të shpëtimtarit të madh dhe klonëve të tij shpërndarë kudo, që përsërisin deri në mërzi se “ay” është mbrojtësi i kombit, “ay” bëri mrekullira, “ay” vendosi rregull e bëri shtet, e njerëzit të trembur se mos kush e di ndodh ndonjë hata, mblidhen mes tyre duke pëshpëritur “të paktën ka rregull, se mbani mend si ishte dikur”. Ky është dorëzimi i lirisë. Por ashtu siç populli mësohet me diktaturë e diktatorë realë, apo kopje, të vegjël a të mëdhenj, po ashtu mund të mësohet edhe të mos i pranojë më. Duke nisur nga klonët në periferi. Do kohë, do guxim, do vetëdije, do dhe ndonjë vrimë të vogël në murin e frikës, për të hyrë sadopak dritë.