Shpërthim në minierën e Bulqizës, 10 të plagosur, 3 të bllokuar në galeri

Të paktën 10 punonjës u plagosën dje në mesditë pas një shpërthimi që ndodhi në brendësi të galerisë, në nivelin16, në minierën e Bulqizës, në Veri të Shqipërisë. Të plagosurit janë shtetas kinezë, të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm të minierës së Bulqizës. Burime vendore thonë se, tre prej të plagosurve janë dërguar në Spitalin lokal të Bulqizës. Ndërkohë, dyshohet se në galeri gjenden të bllokuar edhe tre punonjës të tjerë, gjendja e të cilëve ende nuk dihet.
Shkak i këtij aksidenti të rëndë mendohet se është bërë shpërthimi i papritur i gazit metan në brendësi të nivelit 16.
Policia ndodhet në vendngjarje ku po kryen hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Gjithashtu, është njoftuar se strukturat e repartit të inspektim-shpëtimit në miniera janë nisur drejt Bulqizës, në ndihmë të minatorëve si dhe për të verifikuar gjendjen e sigurisë në këtë minierë.
Lidhur me ngjarjen e Bulqizës, ku pati një shpërthim në minierë mësohet se 3 minatorët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën. Kompania ka dhënë edhe detajet për ngjarjen, duke sqaruar se “rreth orës 13:30, në minierën e kromit ka ndodhur një shpërthim gazi metan”.
Shpërthimi ka ndodhur në nivelin 21 të minierës, në seksionin e punimeve për pusin e ri, 1000 m në thellësi të saj. Aktualisht në këtë seksion punon kompania kineze ‘Xian Engineering’ e kontraktuar nga AlbChrome. Kompania AlbCrome tha se nga shpërthimi u plagosën 3 minatorë, por që fatmirësisht e kanë kaluar rrezikun për jetën. Ndërkohë që nga pala shqiptare nuk ka asnjë dëm material dhe as në njerëz.
Vitet e fundit, në një numër minierash në Veri të Shqipërisë, kanë ndodhur aksidente me pasojë humbjen e jetës së minatorëve. Në më të shumtën e rasteve, aksidentet kanë ndodhur për shkak të kushteve të papërshatshme të punës në këto miniera, pjesa më e madhe e të cilave i përkasin gjysmës së parë të shekullit të kaluar dhe periudhës së regjimit komunist.

Artikulli paraprakTritol në makinë, shpëton shoferi dhe pasagjeri
Artikulli tjetërPiloti i drogës: Agjentin e Interpolit në Shqipëri e mbaja me darka