Ndëshkimi me karton të verdhë i Mërgim Mavrajt në ndeshjen e javës së 30-të të Bundesligës ka bërë xhiron e Gjermanisë dhe të Europës. Mbrojtësi shqiptar u penalizua pas një ndërhyrje të ashpër në minutën e 48-të të sfidës, ku Koln-i fitoi 3-2 në fushën e Mainz, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës. Por, episodi më i çuditshëm ishte momenti i shfaqjes së kartonit të verdhë për Mavraj-n nga gjyqtari Piter Sipel. Mediat gjermane evidentuan që kartoni i dhënë për kuqeziun ishte përgjysmë.
Kjo për faktin, se ai ishte thyer në momentin kur arbitri e nxorri nga xhepi, ndërsa një pjesë kishte përfunduar në fushën e lojës. Bilbili Spiel mori menjëherë masa, duke e zëvendësuar kartonin e verdhë, me ndihmën e gjyqtarit të katërt. Në anën tjetër, edhe pse u ndëshkua vetëm me gjysmë kartoni, për Mërgim Mavrajn penalizimi vlen i plotë. Ky ishte ndëshkimi i parë sezonal për mbrojtësin e Kombëtares, i cili më 19 dhjetor 2015 në fitoren 2-1 të Koln-it me Borussia-n e Dortmundit u rikthye të luajë, pas dëmtimit dhe operacionit në gju, që e mbajti jashtë fushave për afro 7 muaj.
Prej rikuperimit të plotë, Mavraj numëron 9 ndeshje në këtë sezon të Bundesligës gjermane, duke u kthyer në një prej shtyllave të mbrojtjes, në objektivin thuajse të përmbushur të Koln-it për të qëndruar në elitë.