Në Gramsh u helmuan fëmijë në kopsht. Nuk është as hera e parë dhe, për fat të keq, nuk do të jetë as hera e fundit. Sepse në Shqipëri nuk ka më kontroll ushqimor; ka licenca për vrasje të heshtura, të firmosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
AKU është shtëpia e dytë e militantëve: një çerdhe për “çunat tanë”, që nga elektrikistë, mësues muzike e ushtarakë të papunë, kthehen për magji në “inspektorë të sigurisë ushqimore”. Sepse të gjithë mund të hanë ç’të duan, por nuk guxojnë të prekin ndonjë biznes me lidhje partie, aty përfundojnë inspektorët me urdhër: “mbyll sytë ose mbyll dosjen”.
Në 15 vitet e fundit, AKU ka ndërruar 13 drejtorë. Pushteti ka futur duart në thesin e tenderëve dhe i ka mbushur radhët me servilë. Në vend të specialistëve, ka emëruar servitorë. Në vend të laboratorëve, ka ndërtuar rrjete favoresh.
Çfarë ndodh? Çdo shkollë, kopsht, spital e mensë ushqimi është bombë me sahat. Sepse kontrollet bëhen sipas urdhrit të partisë, jo sipas protokollit të sigurisë. Dhe kur shpërthen helmimi, dalin me deklarata të ndyra, të tipit: “Do hetojmë…”, “Po presim analizat…”, “Fëmijët janë jashtë rrezikut”.
Jo, nuk janë jashtë rrezikut. Sepse fëmijët po rriten në një vend ku ushqimi nuk kontrollohet, por kontraktohet. Ku mbrojtja e shëndetit është një artikull elektoral, jo një prioritet shtetëror. Dhe ku përgjegjësit janë gjithmonë “duke u hetuar”, por asnjëherë në burg.
Në një vend normal, pas një rasti helmimi në institucion publik për fëmijë, do të kishte arrestime, dorëheqje, ndëshkime penale. Në Shqipëri, ka vetëm ndërrim firme për furnitorin e radhës.
Reforma në Drejtësi është e rëndësishme. Por pa një reformë në ushqim, reforma në drejtësi do shërbejë vetëm për të varrosur të helmuarit. Sepse helmimi nuk fillon te produkti. Helmimi fillon te shteti që pranon gjithçka, mjafton të jenë “tanët”.