Zgjedhjet e 11 Majit – Shteti mbylli sytë për mbledhjen e taksave në funksion të votës së pushtetit

Nga Namir Lapardhaja

Një nga mënyrat që pushteti i sotëm përdor për të manipuluar dhe për të kontrolluar zgjedhjet, është përdorimi i administratës tatimore.

11 Maji nuk solli vetëm përballje politike dhe premtime elektorale, por dhe pasoja për ekonominë e vendit: injorimin e qëllimshëm të mbledhjes së taksave nga shteti, për të joshur bizneset në funksion të votës për pushtetin.

Shifra zyrtare e dhënë nga Administrata Tatimore flet vetë: vetëm gjatë muajit maj, borxhi tatimor u rrit me 4.7 miliardë lekë.

Përdorja e mosmbledhjes së taksave përpara muajve të fushatës, është një zhvillim i rëndomtë që orienton votën në funksion të shkeljes së ligjit.

Nuk është hera e parë që në prag zgjedhjesh institucionet kthehen në vegla elektorale, përkundrazi.

Para fushate një pjesë e biznesit ndihen të përkëdhelur nga pushteti, të inkurajuar për të mos paguar, me shpresën se borxhi do të fshihet pas zgjedhjeve, mirëpo jo vetëm që nuk ndodh ashtu, por, sapo merret pushteti, kujtohen për ato që nuk kanë mbledhur dhe realizuar, duke vijuar avazin “e vjetër” nga e para.

Ky është vetëm një ndër treguesit se si shteti është në shërbim të fushatës, jo të ligjit. Drejtorët ishin në terren për vota, jo për zbatim të rregullave, ndërsa institucionet lanë pas dore funksionin e tyre, duke u shndërruar në vegla politike.

Taksat dhe tatimet janë detyrime, jo mjete pazari për politikën e ditës.

Kjo sjellje e tillë është fyerje ndaj çdo qytetari që paguan rregullisht detyrimet e tij, sepse krijon ndasi mes atyre që respektojnë ligjin dhe atyre që presin “amnisti” nga përdorimi politik në dëm të ligjit.

Në fund, fatura i mbetet po njerëzve, të cilët do të kenë më pak të ardhura në buxhet, më pak shërbime publike dhe më shumë borxhe të pashlyera që do shlyhen nesër me taksa më të larta.

Artikulli paraprak“Opozita e shkatërruar”, Shemsi Prençi: Lidership i vjetër, nuk ka më çfarë të ofrojë
Artikulli tjetërFatmir Gjoci: Sistemi ka marrë peng gjithçka – zgjedhjet e 11 majit ishin përballje me frikën, vjedhjen dhe mashtrimin politik