Në një reagim publik pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Fatmir Gjoci, ndan me qytetarët falënderimet e tij për mbështetjen dhe hedh dritë mbi disa prej problematikave që, sipas tij, shënjuan rëndë procesin zgjedhor. Ai flet për një sistem të kapur, për frikën që u përhap mes qytetarëve dhe për manipulimin e hapur të votës – veçanërisht në diasporë.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Ju falenderoj të gjithë ju votueseve të mi, miq e të afërm, secilit nga ju që më besuat mua dhe alternativës që përfaqësoja me votën tuaj në zgjedhjet e 11 Majit 2025!
Ju jam shumë mirënjohës, besoj dhe ju garantoj se nuk do t’ju zhgënjej dhe do t’ia dalim me sukses në betejat e radhës.
Është evident dhe i domosdoshëm prononcimi për zgjedhjet, pasi sistemi i instaluar në vendin tonë ka marrë peng gjithçka, saqë edhe vetë shoqëria është pajtuar me të. Votat në një masë të konsiderueshme u tjetërsuan, u vodhën hapur. Unë jam nga ata që e pohoj qartë: nuk u votuam ashtu siç e meritonim, qoftë edhe si subjekt, pavarësisht se ishim subjekti që kishte programin më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sa shumë u befasova me situatën e fushatës, kur shihja njerëzit të frustruar e të trembur deri në pamundësi për të takuar hapur një kandidat, pasi thonin: “Mund të më shohin dhe më prishet puna e fëmijës që kam në shkollë, shtëpia pa legalizim, e imja për punë…” Atëherë kuptova se frika ishte futur thellë në ndërgjegjen e njeriut të thjeshtë. Nuk flas për oligarkë e kriminelë – me ta s’më lidh asgjë, nuk i përkas botës së tyre.
Në këto kushte, u përballa me mashtrime dhe, të them të drejtën, u befasova. Po aq më shumë u trondita nga Mega-vjedhja e votave në Greqi. Ndoshta rastësi, por isha i vetmi përfaqësues nga i gjithë spektri politik për të cilin pati konstatime të shumta për vjedhje direkte të votave të mia personale!
Për shumicën, mund të njihem vetëm si profil, por jo nga afër. Kam 28 vite që jetoj në Diasporë – ndoshta kjo ishte një arsye më shumë që u pengova. Por një gjë ua garantoj: kandidimi im nuk ishte për përfitim, por për të kontribuar sadopak kundër sistemit të instaluar në Shqipëri dhe për të nxitur funksionimin e vërtetë të demokracisë.
Angazhimi im politik është një përgjegjësi e madhe. U përpoqa të jap maksimumin për të sjellë një model ndryshe për njerëzit dhe vendin tim, për të përfaqësuar ata që ende besojnë në liri, drejtësi dhe ndershmëri.
Unë besoj bindshëm në projektet e mia dhe do të vazhdoj të ec përpara me krenari dhe përkushtim, duke ruajtur dhe rritur vlerat si një demokrat i ndershëm, me një angazhim që e ndjej si mision.
Të fituar janë ata që nuk dorëzohen kurrë. Ata që aspirojnë për më mirë dhe që shohin dritë, sado larg të duket ajo!