Hetimi, trafikantët e drogës emërojnë shefat e policisë

Prokuroria për Krime të Rënda lëshoi urdhër-arresti para dy ditësh për dy zyrtarë të lartë policie dhe për disa persona të tjerë, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Dy ditë pas arrestimit të dy zyrtarëve të policisë për trafik droge, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë detaje për implikimin e Haki Hasanbegajt, shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe Gani Abazit, shef i Specialistëve të zonave në Komisariatin e Policisë së Tepelenës me Elton Çiçon, njërin nga njerëzit më të afërt të drejtorit aktual të Policisë Kufitare të Vlorës, Besmir Qibini. Sipas hetimeve të Prokurorisë, emërimet e këtyre zyrtarëve të policisë në poste kyçe janë bërë pas ndërhyrjes së trafikantëve të drogës.
Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur se, ka zhvilluar hetim prej disa muajsh për këta persona, të cilëve, pak muaj më parë iu sekuestrua një sasi shumë e madhe lënde narkotike kanabis sativa, e papërcaktuar ende deri më tani, e mbjellë në fshatra të ndryshëm të Vlorës, kryesisht në Vezhdanisht dhe Treblovë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar edhe rreth 2 ton kanabis në Tepelenë.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda janë evidentuar si persona përgjegjës dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal, shtetasit Haki Hasanbegaj, me detyrë Shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Vlorë, Gani Abazi, me detyrë Shef i Specialistëve të Zonave në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Musa Bedinaj, kultivues, organizator.
Po ashtu janë edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si kultivues organizatorë, identiteti i të cilëve nuk mund të publikohet, pasi nuk është realizuar arrestimi i tyre. Ndaj këtyre personave, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Nga të dyshuarit, deri më tani është bërë i mundur arrestimi i zyrtarëve të Policisë, Hasanbegaj dhe Abazi, të cilët u prangosën nga ana e oficerëve të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave, si edhe i një prej kultivuesve organizatorëve, Musa Bedinaj. Të dyshuarit e tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë operacionit policor.
Në kuadër të këtij hetimi, i cili ka nisur nga referimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, në tetor 2016 u arrestuan edhe 6 persona të tjerë, ndërkohë që u shpall në kërkim një tjetër zyrtar policor.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se Hasanbegaj, i cili deri në pranverën e vitit 2016 ishte në detyrën e Shefit të Komisariatit të Tepelenës, mbante kontakte të vazhdueshme me persona që kultivonin lëndë narkotike në atë zonë.
Madje, kur është larguar nga drejtimi i Komisariatit të Tepelenës për në detyrën e Shefit të Rendit në Drejtorinë e Vlorës, trafikantët kanë shprehur shqetësimin për zëvendësimin e tij.

Komisarët e policisë, garantë të drogës së Çiços

Nga hetimi rezulton se, Hasanbegaj ka qenë lidhje e ngushtë e shtetasit Elton Çiço, i cili u vra pak javë pas largimit të Hasanbegajt nga Tepelena, në një atentat në zonën e ish-“Bllokut” në Tiranë. Çiço kishte lidhje të ngushta me Besmir Qibinin, drejtor i Policisë Kufitare në Vlorë ishte pjesë e një rrjeti të gjerë kultivimi dhe trafikimi të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës. Çiço rezulton se ka pasur informacion për lëvizjet e drejtuesve në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Ai i shpreh mbështetjen e tij Haki Hasanbegajt në momentin që ky po largohej për në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Po ashtu, Çiço rezulton se ka qenë i informuar se cili do të zëvendësonte Hasanbegajn në drejtimin e Komisariatit të Tepelenës, me qëllimin e qartë që të vijonte i pashqetësuar aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton, se në rastin konkret ka të dhëna të mjaftueshme për ekzistencën e faktit kriminal, të kultivimit të bimëve narkotike, fakt, i cili parashikohet si vepër penale në Kodin Penal. Njëkohësisht rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë një formë të veçantë bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale që për nga forma, struktura dhe qëllimi ka formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas përkufizimit të parashikuar në dispozitat e ligjit material dhe procedurial penal. Po ashtu rezulton se, secila nga grupet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë krijuar lidhje të mëparshme nga punonjës të policive vendore, me qëllim mbrojtjen dhe shmangien nga asgjësimi i bimëve narkotike dhe mos dhënies së informacionit për parcelat e mbjella me bimë narkotike, kundrejt përfitimeve të parregullta.

Lidhjet e Qibinit me Elton Çiçon

Vrasja e Elton Çiços, një njeri me lidhje të forta të narkotrafikut në zonën e Tepelenës, në majin e vitit të shkuar nxorri në pah dhe lidhjet që kishte ai me drejtuesit e lartë të policisë. Në momentin e vrasjes, Çiço ishte në shoqërinë e shefit të Antidrogës në Policinë e Tiranës, Alban Trimi. Alban Trimi menjëherë pas vrasjes u kujdes të fshihte pistoletën e viktimës që mbante në çantë, por edhe celularin e tij. Pistoleta më pas rezultoi se ishte e Besmir Qibinit, nëndrejtorit të Doganave, i cili prej një jave është emëruar drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës, qyteti ku aktiviteti i narkotrafikut drejt Italisë është më i madhi. Duket se emërimi i Qibinit në krye të Policisë Kufitare të Vlorës u bë për të vijuar trafikun e drogës drejt Italisë për shkak të lidhjeve që ky i fundit ka me bandat e këtij trafiku fitimprurës.
Besmir Qibini njihet për lidhjet e tij të ngushta me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në mbrëmjen kur ndodhi vrasja e Elton Çiços, ai nuk ishte prezent, por kamerat e lokalit të vëzhguara në një periudhë një mujore nga Prokuroria kanë fiksuar në tavolinë në shoqërinë e Çiços, dhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Ermal Muça, i cili u mor personalisht me këtë çështje. Madje mes tij dhe Alban Trimit, ish-shefi i Antidrogës ka pasur dhe një debat atë natë. Në mbrëmjen e të nesërmes, Ermal Muça do dilte në TV ku do të shprehej se nuk ish gjetur asnjë armë në vendngjarje, ndërsa vetë Qibini u mundua të errësonte sa më shumë ngjarjen. Urdhri i dhënë nga Saimir Tahiri ishte i qartë: Qibini duhej të shpëtohej me çdo kusht. Jo më kot, Tahiri e hoqi nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe e dërgoi menjëherë në Dogana, ku në postin e nëndrejtorit ai mbulonte Antikontrabandën. Në sektorin e Antikontrabandës, ai u kujdes që të përzgjidhte njerëzit që i duheshin me qëllim që të shmangej ndonjë “gabim aksidental”, për dërgesat që shefi çonte drejt Italisë.

Trafiku i drogës drejt Italisë

Lidhjet e Qibinit me bandën e Çiços kanë bërë që trafiku i drogës drejt Italisë të zhvillohej lirisht nga bregdeti i Vlorës. Me anë të Qibinit u arrit që droga të kalonte drejt Italisë pa asnjë problem. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ngarkesat që kalojnë nëpërmjet kufirit. Dërgimi i ngarkesave me skaf, duket se është dhe mënyra që punët të mbarohen dhe më shpejt. Në Vlorë, veprojnë dhe kushërinjtë e ministrit, me mbiemër Habilaj, të akuzuar shpesh për prodhimin dhe trafikimin e hashashit në këtë qytet. Drejtoria e Kufirit Vlorë është ajo që mbulon dhe ujërat e brigjeve të Jugut nga Dhërmiu deri në Sarandë, ku Klement Balili, i cilësuar si “Eskobar i Ballkanit” kryente aktivitetin e tij prej kohësh i pashqetësuar. Nga statistikat ndërkombëtare të shërbimeve inteligjente, bëhet e ditur se nga lufta e policisë arrijnë të sekuestrohet vetëm 2% e sasisë së drogës që kultivohet. Deri më tani janë sekuestruar diku tek 180 tonë. Pra, me mijëra ton të tjerë kanë kaluar nga Shqipëria drejt Evropës, duke e kthyer vendin tonë në Kolumbinë e kontinentit të vjetër. Dhe porta kryesore furnizuese mbetet Vlora, ku Qibini do të jetë ai që do të drejtojë operacionet.

Prokuroria nis hetimet për grupin kriminal të Çiços

Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet për grupin e strukturuar kriminal për ngjarjet, ku janë përfshirë vrasjet mes grupit kriminal të Jani Aliajt dhe Elton Çiços. Bëhet e ditur se Policia e Shtetit ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ngjarjet kriminale ku janë përfshirë këto dy grupe, me dyshimin se funksionojnë si grupe të strukturuara kriminale me qëllim kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Burimet saktësojnë, se materiali voluminoz i sjellë nga Prokuroria dhe Shërbimi Sekret shqiptar, ka renditur sagën e konflikteve mes këtyre dy grupeve. Aty janë evidentuar 4 vrasje me armë, 5 atentatet po me armë të mbetura në tentativë me pasojë plagosjen e personave të ndryshëm, vendosjen e eksplozivëve në dy raste, ku për pasojë është gjymtuar një person dhe grabitjen me dhunë të familjarëve të Elton Çiços në Tepelenë.
Sipas këtij materiali, këto dy grupe funksionojnë si organizatë kriminale me qëllim vrasjen e kundërshtarëve, kultivim të lëndëve narkotike dhe më pas trafikimin e tyre. Ky material, thuhet se është përpiluar pas informacioneve operative të agjentëve të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, duke evidentuar edhe dyshime për persona apo individë të caktuar në Policinë e Shtetit, që kanë ndihmuar këto grupe kriminale. Mësohet se hetimi është përqendruar te vrasjet dhe atentatet me armë e eksploziv që këto dy grupe kanë pasur mes tyre në Tiranë apo qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në sitën e hetimit, burimet thonë se janë edhe vrasja e Elton Çiços, e cila po hetohet nga ana tjetër edhe nga Prokuroria e Tiranës, ku ka shpallur në kërkim për këtë ekzekutim Jani Aliaj dhe Renato Milloshin. Pjesë e hetimit të dosjes, mësohet se është edhe ngjarja e cila dyshohet se ka ringjallur hasmërinë mes tyre, është ajo e grabitjes dhe dhunimit të prindërve të Elton Çiços në Tepelenë. Burimet thonë se për llogari të kësaj dosje po hetohen edhe dy atentatet e dështuara ndaj Jani Aliajt në Gjirokastër dhe Tiranë.
Atentati i vrasjes së Robert Ramës në Durrës, vendosja e eksplozivit ndaj Ervis Imerit dhe vëllait të tij, i cili është gjymtuar. Atentati dhe më pas vrasja e Nelgert Patës në Fier dhe atentati i mbetur në tentative ndaj Andi Mustafarajt pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot” këtu në kryeqytet. Të gjithë këto ngjarje, po hetohen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

R.POLISI

Artikulli paraprakDëshmitari i Ramës për OSHEE, rrahu motrën në varrimin e babait
Artikulli tjetërBerisha me senatorët italianë për kanabizimin