Mjerimi intelektual në të cilin e katandisi PD-në Berisha

Nga Simon Hadaj

Partia Demokratike nisi rrugëtimin e saj si forca e parë politike opozitare në vend, e frymëzuar nga studentët dhe intelektualët e Dhjetorit, që ëndërronin një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të integruar në Evropë. Mirëpo, rruga që PD ka ndjekur në këto tri dekada është larg asaj ëndrre fillestare. Në vend të konsolidimit të një partie të ideve, të lirive dhe të së vërtetës, Sali Berisha e ka shndërruar këtë forcë në një bunker paranojak, ku mendimi ndryshe dënohet, ndërsa përkulja ndaj udhëheqësit shpërblehet me dafina.

Në këtë mjedis të deformuar politik, të thuash të vërtetën është një akt që të bën objekt sulmi, ndërsa të përsërisësh gënjeshtrat e Berishës është rruga më e shpejtë drejt ngritjes brenda partisë. Kjo përmbysje e vlerave ka prodhuar një kastë politikanësh që nuk kanë më as moralin dhe as guximin për të artikuluar një mendim të lirë.

Rasti më flagrant i këtij mjerimi intelektual është Agron Gjekmarkaj.

Dikur i pozicionuar si një zë ndryshe, një përfaqësues i frymës akademike brenda PD-së, Gjekmarkaj sot ka përfunduar në një akrobat të rëndomtë politik. Nga deklaratat se nuk do të bëhej kurrë deputet i Sali Berishës, te mbështetja e hapur për Lulzim Bashën si shpresë e vetme për një PD evropiane, e deri te deklarata e sotme se Berisha nuk duhet të largohet nga drejtimi i partisë – të gjitha këto dëshmojnë për një kthesë të madhe, por jo parimore. Kjo nuk është thjesht një rënie personale; është dëshmia më e qartë se si Berisha ka arritur të deformojë edhe zërat që dikur pretendonin të sillnin frymë intelektuale brenda partisë.

Gjekmarkaj sot duket më besnik se Mul Noka dhe më i përulur se Albana Vokshi.

Ai është bërë simboli i një partie që nuk pranon më intelektualët me mendim të lirë, por vetëm shërbëtorët e një kulti që është konsumuar prej kohësh.

Nëse një parti politike nuk ka më guximin të thotë disa të vërteta të thjeshta – si fakti që një lider i shpallur “non grata” për korrupsion dhe minimin e demokracisë nuk mund të jetë më udhëheqës i saj – ajo nuk e meriton më as mbështetjen e qytetarëve dhe as të përfaqësojë interesat e shoqërisë. Shqiptarët, me votën dhe largimin e tyre nga PD, këtë e kanë kuptuar të parët. Por militantët e verbër dhe oborrtarët e Berishës ende bëjnë çmos ta mbajnë këtë trup politik të vdekur në këmbë, si një mumje e ekspozuar në selinë e PD-së./alfapress.al

Artikulli paraprakZhdukja e Jan Prengës/ Mbërrin në Shqipëri letërporosia, do të merren në pyetje Astrit Prenga dhe Gëzim Shullani
Artikulli tjetërIndrit Vokshi: Droga nuk është e jona!