Kristjan Asllani me sa duket po mendon seriozisht largimin nga Interi gjatë kësaj vere. Edhe pse rinovoi vetëm një vit më parë me zikaltrit, mesfushori shqiptar po merr në konsideratë idenë që të largohet nga skuadra me të cilën pak ditë më parë luajti në finalen e Ligës së Kampioneve.
Nuk është nga zhgënjimi i asaj finaleje të humbur, por nga fakti se Asllani tashmë mendon se ka ardhur koha që të luajë në një klub ku të ketë minutat e duhura dhe jo rolin e zëvendësuesit të emergjencës, siç është te Interi.
“Corriere Dello Sport” bën të ditur se Bolonja është klubi më i interesuar për futbollistin, pasi trajneri Italiano e sheh si një lojtar që mund të bëjë mirë në skemat e tij. Këtu hyn në skenë edhe vetë dëshira e lojtarit pasi sipas gazetës italiane “ka dëshirën të luajë në kampionat si protagonist dhe jo në rol dytësor”.
Pengesa për hapjen e negociatave me Interin për transferimin te Bolonja, është fakti se zikaltrit janë në kërkim të një trajneri të ri dhe për momentin kanë bllokuar të gjitha lëvizjet në dalje.