Xhamia e Vjetër, historia që u dogj dhe u zhduk me urdhër të regjimit — Autoriteti i Dosjeve kujton institucionin e kultit në Ditën e Kurban Bajramit

Në Ditën e Kurban Bajramit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka kujtuar një nga simbolet historike të Tiranës — Xhaminë e Vjetër, e ndërtuar në vitin 1614 nga themeluesi i qytetit, Sulejman Pashë Bargjini.

Në një mesazh përkujtimor, Autoriteti thekson se Xhamia e Vjetër nuk ishte thjesht një vend faljeje, por një pikë referimi për shpirtin qytetar të Tiranës. E shkatërruar nga flakët në nëntor të vitit 1944, ajo mbeti një plagë e hapur për qytetarët, të cilët, pavarësisht vështirësive, mblodhën mijëra franga ari për ta rindërtuar.

Megjithatë, Xhamia u rrënua përfundimisht dhe në vend të saj u ndërtua Monumenti i Partizanit të Panjohur.

Sipas dokumenteve arkivore, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë bënë përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur besimin dhe kujtesën historike në një kohë kur regjimi i ri ndërmori një fushatë të gjerë represive kundër institucioneve fetare.

“Shkatërrimi i Xhamisë së Vjetër ishte vetëm fillimi. Më pas, represioni goditi mësuesit, teologët dhe vetë besimin, i cili u ndalua me terror,” thuhet në deklaratën e Autoritetit.

Në përfundim të mesazhit, Autoriteti i Dosjeve bën thirrje për reflektim:

“Në këtë ditë të bekuar, le të ndalemi për të kujtuar jo vetëm atë që kemi humbur, por edhe detyrimin për të mbrojtur kujtesën, shpirtin, dinjitetin dhe njerëzinë.”

Artikulli paraprakVendosja e gabuar e tabelave të shpejtësisë, eksperti: Shkak për aksidente automobilistike
Artikulli tjetërRoberto Saviano: Shteti është i dobët përballë mafies, por pa të penduar nuk ka fitore