Në vetëm pesë muajt e parë të vitit 2025, Qeveria shqiptare ka realizuar 70 tenderë me “flamur të kuq”, një sinjal i qartë alarmi për mungesë transparence dhe prirje drejt klientelizmit.
Të dhënat janë publikuar nga platforma “Open Data Albania”, që thekson riskun e lartë në këto procedura që përfshijnë miliarda lekë nga buxheti i shtetit.
Sipas analizës së “ODA”, shumica dërrmuese e tenderëve kanë fitues me ofertë thuajse identike me fondin limit, ndërsa në garë shpesh hyn vetëm një kompani – një shenjë klasike e mungesës së konkurrencës reale. Në raste të tjera, kompanitë që hyjnë në garë skualifikohen menjëherë, duke lënë rrugë të lirë për “fituesin e paracaktuar”.
Vlera totale e këtyre tenderëve kap shifrën e 34 milionë eurove, një shumë kolosale që ka kaluar përmes një procesi prokurimi të diskutueshëm. Autoriteti që shfaqet në dokumente është Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) – një shoqëri 100% shtetërore, por që prokuron për një sërë institucionesh: burgje, spitale, polici, etj.
Disa prej tyre janë: “Blerje orendish dhe pajisjesh për Forcën Ajrore” – 51,832,236 lekë; “Blerje pjesë këmbimi për Qendrën e Menaxhimit të Mirëmbajtjes së Mjeteve të Transportit” – 3,676,887 lekë; “Sigurim i detyrueshëm (TPL) dhe vullnetar (KASKO) për mjetet e Gardës” – 18,480,729 lekë; “Rikonstruksion i Godinës së Djegies Plastike në QSUNT” – 522,918,891 lekë; “Blerje ushqime koloniale” – 107,898,940 lekë; “Blerje materiale të buta për Spitalin Rajonal Berat” – 3,897,044 lekë; “Blerje pajisje mobilieri për shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm” – 11,705,568 lekë; “Furnizim me lëndë djegëse (Gazol 10 ppm)” – 558,501,629 lekë, etj.
Sipas “Open Data Albania”, shënimi “RedFlag” tregon ekspozim të lartë ndaj rrezikut të korrupsionit dhe praktikave abuzive. Edhe pse ligji shqiptar e lejon prokurimin me një ofertues të vetëm, në praktikë kjo po shndërrohet në një rrugë të shpejtë për favorizime dhe manipulim të konkurrencës.
Në vend të konkurseve të hapura dhe ofertave konkurruese, kemi një model që vjen erë marrëveshje të fshehta, duke zhytur paratë publike në grykën e klientelës së pushtetit. Dhe si gjithmonë, qeveria hesht.