Muri në veri të Mitrovicës u shemb pas një marrëveshjeje të qeverisë me komunën në veri të Kosovës. Bashkimi Evropian tha se, shqiptarët dhe serbët mund të arrijnë edhe marrëveshje të tjera kur ka vullnet politik.
Komuna e veriut të Mitrovicës e administruar nga serbët, të dielën (05.02) shembi tërësisht murin e ngritur në dhjetor të vitit të shkruar në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër, që ndan qytetin në dy pjesë. Rrënimi i murit u bë vetëm një ditë pasi qeveria e Kosovës dhe komuna veriore e Mitrovicës arritën marrëveshje, që muri të rrënohet dhe në atë pjesë të bëhet një shëtitore për këmbësorët. Rrënimin e murit e përcolli nga afër shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila tha se, “kjo gjë tregon se të dy palët mund të arrijnë marrëveshje edhe për ҁështje të tjera kur ka dëshirë politike”.
“Jam duke parë dhe pritur gjithashtu për fillimin e diskutimit për asociacionin e komunave me shumicë serbe, me të njëjtin përkushtim që patëm për largimin e këtij muri”, tha Apostolova, duke shtuar se, “Ura mbi lumin Ibrit do të jetë ura më e bukur në Kosovë”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në një konferencë për mediat, se rrënimi i murit është bërë në marrëveshje me komunën e veriut, marrëveshje kjo që e ndihmoi edhe faktori ndërkombëtar.
“Krejt ajo çka kemi bërë është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike. Nuk kemi pasur asnjë garë për të matur forcat, nuk kemi manifestuar populizëm e as folklorizëm. Mendoj se kanë triumfuar vlerat dhe kanë triumfuar metodat dhe mënyrat më të mira demokratike. Komuna ka vepruar sipas marrëveshjes”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakiç tha se, “të martën e kësaj jave do të fillojë ndërtimi i një strukture të re betoni, që do të shërbejë për zonën e këmbësorëve në rrugën Mbreti Petar që gjendet afër urës kryesore mbi lumin Ibër”.
Në natën e tre shkurtit qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e serbëve lokalë të veriut të Mitrovicës, arritën marrëveshje për murin në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër që ndan qytetin në dy pjesë. Takimi që u mbajt në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë dhe ambasadori amerikan, zgjati deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë (04.02).
Pas takimit nëpërmjet një komunikate për mediat të lëshuar nga qeveria e Kosovës u tha se, “gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e zyrës së Bashkimit Evropian, si dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, janë pajtuar që të zgjidhet çështja, që lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”.
Kjo zgjidhje sipas qeverisë, do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një mjedis të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës.
“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, u tha në komunikatën e qeverisë.
Ndërtimi i murit të lartë dy metra nga serbët lokalë në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër i ngriti tensionet ndërmjet Prishtinës zyrtare, serbëve të veriut dhe Beogradit. Serbët e veriut thanë se, muri ishte pjesë e ndërtimit të një shëtitoreje, ndërsa, qeveria në Prishtinë e cilësoi ilegal dhe që pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët.
Bashkimi Evropian e ka marrë përsipër revitalizimin e urës mbi lumin Ibër, një projekt ky që do të kushtojë 1.2 milion euro. Tash për tash akoma nuk dihet se kur do të përfundojë ky projekt, ndonëse, një bit më parë u paralajmërua, se nga fundi i janarit të vitit 2017 ura do të lirohet për qarkullimin e lirë të qytetarëve në të dyja anët.