Dhjetëra mësues dhe nxënës, kanë mbetur pa transport për të shkuar në shkollat e fshatrave. Shërbimi i transportit është pezulluar për shkak të përfundimit të kontratës mes një kompanie private dhe drejtorisë rajonale të arsimit në Kukës. Kompania nuk është rifutur në garë për tenderin e ri, për shkak se drejtoria e arsimit ka ndryshuar tipologjinë e rrugëve në zonat e thella malore.
Duke nisur nga kjo e hënë, nxënësit dhe mësuesit e shkollave në fshatrat e Bashkisë Kukës kanë mbetur pa mjetet e nevojshme të transportit.
Shërbimi i transportit është pezulluar, pasi kontrata e firmës që e ofronte këtë shërbim ka përfunduar. Sipas përfaqësuesit të kompanisë, Fatmir Halilaj, shërbimi nuk është përfshirë në tenderin e ri për shkak të mënyrës së gabuar të kategorizimit të rrugëve nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Lezhë (DRAP Lezhë).
Përballë kësaj situate, mësuesit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe rivendosjen e transportit të organizuar, pasi udhëtimi me automjete private është ekonomikisht i papërballueshëm dhe i rrezikshëm për shkak të infrastrukturës së keqe.
Drejtoria Rajonale e Arsimit, i ka konsideruar rrugët e zonave të thella si rrugë të kategorisë së parë me asfalt, ndonëse në realitet ato janë në gjendje të rëndë, të paasfaltuara dhe me terren të vështirë.