Zyrtarë të lartë të partive Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim u takuan të hënën në Shkup për të biseduar në lidhje me të ardhmen e qeverisë së re, që duhet të dalë bazuar në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ky është takimi i parë i përfaqësuesve të dy partive, qëkur i mandatuari i parë Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së nuk arriti të formojë kabinetin qeveritar. Megjithatë, dy partitë ende duket se janë larg një marrëveshjeje, ndonëse takimi u cilësua si konstruktiv nga të dyja palët.
BDI-ja përfaqësohej nga tre nënkryetarët, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti, të cilët janë kryetarë të komunave të Tetovës, Gostivarit e Çairit në Shkup. Ndërkaq, nga Lidhja Social Demokrate po ashtu ishte e pranishme nënkryetarja Radmilla Sheqerinska, si dhe Renata Deskoska, Stevo Pendarovski dhe Oliver Spasovski. Takimi u mbajt në një prej hoteleve të Shkupit.
Teuta Arifi u tha mjeteve të informimit se kishin paraqitur kërkesat tashmë të njohura në bisedime, por pa njoftuar për hollësi të tjera. BDI-ja do të diskutojë me kryesinë e saj për veprimet e mëtejshme.
Ndërkaq, Radmilla Sheqerinska tha se ishte biseduar për atë se si të dilet nga kriza politike, të cilën po e imponon, sipas saj, presidenti i vendit Gjorgje Ivanov duke mos ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast LSDM-së. Ajo la të kuptohej se bisedimet me BDI-në do të vazhdojnë brenda ditëve të ardhshme. Në lidhje me kërkesat e partive shqiptare, LSDM-ja do të mblidhet, për t’i shqyrtuar apo për të marrë një qëndrim.
Partitë shqiptare hartuan një deklaratë të përbashkët pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me anë të së cilës kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet në të gjithë territorin e Maqedonisë, mbështetje për Prokurorinë e posaçme në hetimin dhe zbardhjen e rasteve që dalin nga skandali i përgjimeve dhe avancime të tjera të të drejtave të shqiptarëve në vend.
Nga ana tjetër, një pjesë e analistëve politikë vlerësojnë se qëndrimi i presidentit Ivanov përputhet me planet e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që nëse edhe BDI-ja nuk pranon koalicionin qeveritar me LSDM-në, të mbështesë zgjedhjet e sërishme parlamentare.
LSDM-së i duhen 61 nënshkrime të ligjvënësve për ta marrë mandatin për formimin e qeverisë. Ajo vetë ka 49. BDI-ja ka 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike shqiptare 2 deputetë. Njohësit e rrethanave thonë se, ligjvënësit mund të mblidhen vetë, të zgjedhin kryetarin e Parlamentit dhe ta miratojnë kabinetin qeveritar, nëse presidenti Ivanov nuk e jep mandatin.
Sidoqoftë, një skenar i tillë do të thellonte edhe më tej krizën politike në vend.