Shpërthim tritoli në palestrën pranë Kopshtit Botanik

Një shpërthim eksplozivi ka ndodhur në palestrën pranë Kopshtit Botanik në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:32 të mëngjesit të djeshëm, por fatmirësisht nuk ka patur persona të plagosur. Lënda plasëse, në sasi të vogël, sipas policisë, ishte vendosur në murin e jashtëm të palestrës. Ajo ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, me disa xhama të thyer. Hetuesit kanë pyetur edhe pronarin e palestrës, në lidhje me konflikte të mundshëm të tij, pasi dyshojnë se vendosja e tritolit është vetëm një shenjë paralajmëruese.
Palestra që ndodhet pranë Kopshtit Botanik, frekuentohet nga shumë personazhe të njohur në vendin tonë. Palestra ‘Tirana Crossfit’ është frekuentuar rregullisht nga futbollistët Bekim Balaj, Mërgim Mavraj, këngëtarja dhe aktorja Klea Huta, Arbër Çepani etj.
Policia është duke hetuar për të zbuluar identitetin e autorëve që vendosën tritolin si dhe për të zbardhur shkaqet. Nga hetimet e deritanishme të uniformave blu, pronari i palestrës nuk rezulton të jetë person me precedent dhe nuk ka konflikte.

Artikulli paraprakArrestohet në Holandë atentatori i fisit Çapja
Artikulli tjetërBreshëri plumbash para bashkisë Laç, një i plagosur