Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Bashkisë së Laçit, ku si pasojë e breshërisë së plumbave ka mbetur i plagosur një person. Burimet e policisë bënë të ditur, se i plagosuri po transportohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën mjekësore. Bëhet e ditur se, gjendja e tij është shumë e rëndë. Nuk është bërë i ditur shkaku i konfliktit, si dhe identiteti i personit të plagosur, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po ditën e djeshme një 30-vjeçar mbeti i plagosur në Kavajë pas një konflikti të çastit me një tjetër person. I riu që u qëllua me një plumb pistolete u dërgua në Spitalin e Durrësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia bëri të ditur se ka arrestuar Eduard Kollaçakun 34 vjeç dhe ka sekuestruar armën me të cilën ai ka qëlluar, një pistoletë TT me 3 fishekë. Efektivët e Komisariatit të Kavajës po punojnë për të zbardhur shkaqet e konfliktit.
Ndërkohë, një i ri është kërcënuar me thikë dhe i janë grabitur 1200 euro. Nën kërcënimin e armëve të ftohta si dhe duke ushtruar dhunë, tre persona kanë grabitur një 17-vjeçar, banues në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ali Kolonja”, në pjesën e pasme të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Policia e Tiranës bëri me dije se tre shtetas janë autorë të ngjarjes së ndodhur një ditë më parë. Dje është arrestuar në flagrancë 17-vjeçari Ertis G, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Kastriot C., 17 vjeç dhe Sergjio Z., 17 vjeç u arrestuan dje.