Denoncoi aferat me fondet publike, Kumbaro shkarkon drejtorin e Muzeut

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është hakmarrë ndaj drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi në lidhje me akuzat që ky i fundit bëri pak ditë më parë, se më shumë para po jepen për privatin se për shtetin. Në një intervistë, Labi akuzoi Ministrinë e Kulturës dhe vetë ministren Kumbaro se po japin më shumë fonde për Karlo Bollinon, sesa për Muzeun Historik Kombëtar. E për këtë arsye, Kumbaro e ka thirrur në një takim ditën e djeshme drejtorin e Muzeut, duke i deklaruar se ishte shkarkuar nga kjo detyrë për akuza të rreme ndaj Ministrisë së Kulturës, duke mohuar deklaratat se po jepen më shumë lekë për privatin. Labi kishte në këtë detyrë që prej datës 4 nëntor 2013, ndërsa u largua dje. “Buxheti për 2017 nuk ka dalë ende, por pritet të jetë 13 ose 14 milionë lekë të reja. Ndërkohë nevojat e menjëhershme të Muzeut, për 70 milionë lekë të reja minimale. Na kanë futur në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzeumeve si Bunkarti etj., ku privati merr lekët dhe i fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që i kemi, nuk i ruajmë. Është detyrë e ministrisë ta mbajë Muzeun, sepse janë lekët e taksapaguesve”, thotë Melsi Labi. Po ashtu, punimet e Bashkisë për Sheshin “Skënderbej” kanë izoluar muzeun. Drejtori i MHK, tregon për “Dritare.net” se vizitorët sorollaten në qendër të Tiranës për të gjetur hyrjen për në muze dhe kjo është bërë shkak për një situatë kaotike. “Ne jemi të varur nga punët e Bashkisë, është absurde ta thuash një gjë të tillë. Unë nuk e imagjinoj dot se si një autoritet kombëtar, të varet nga ecuria e punëve të Bashkisë. Punimet në shesh kanë ndikuar në mënyrë drastike edhe në pjesën e frekuentimit, ikin ditët pothuajse pa asnjë vizitor në muze. Një turist nuk di ta gjejë hyrjen, pasi ne jemi të rrethuar nga punimet bashkiake. Edhe vendasit, vijnë anepërqark derisa e gjejnë hyrjen. Është një situatë kaotike dhe nëse vazhdohet kështu, 2017 do të jetë viti me më pak vizitorë e rrjedhimisht me më pak të ardhura. Kjo jo për fajin e muzeut apo shërbimeve që ofron”, ka thënë Melsi Labi në intervistën për “Dritare.net”.

Artikulli paraprakBreshëri plumbash para bashkisë Laç, një i plagosur
Artikulli tjetërIncidenti me minatorët kinezë, politika dhe media nën censurë!