Iu desh të transferohej në një skuadër modeste për të kuptuar se lumturinë mund ta prekë edhe me të ardhura të vogla. Kevin Prince Boateng duket një tjetër njeri, pasi për shumë vite, emri i tij nuk lakohej vetëm në mediat sportive, por edhe në faqet e para të mediave rozë. Ganezi flet në një intervistë të gjatë për jetën e tij, duke e pranuar se ka rigjetur dimensionin e tij të vërtetë.
“Kur isha i ri fitoja shumë para. Te Tottenhami isha pak më shumë se 18 vjeç dhe kisha një pagë prej 5 milionë eurosh në vit. Kërkoja të blija lumturinë, makinat, femrat dhe botën. Bleva një Lamborgini dhe e përdora vetëm një javë. Kisha shumë miq, por nuk ishin të vërtetë, sepse më shtynin për të dalë dhe jo për të shkuar në stërvitje. Një ditë u zgjova dhe thashë: Mjaft, nuk dua të jem ky lloj njeriu”, u shpreh Boateng.
Më pas, Boateng u ndal te periudha e artë me fanellën e Milanit. “Pak pasi kisha mbërritur në Genoa agjenti më foli për Milanin dhe pranova menjëherë. Dita e parë ishte si një ëndërr për mua, sepse isha ulur pranë Pirlos dhe përdorja dollapin e Beckham. Ibra? Nuk është aspak arrogant, sepse në fushën e lojës dhe në stërvitje është një profesionist i vërtetë, madje në kohën e lirë është edhe një njeri shumë argëtues. Te Milani kishte shumë kampionë, por unë gjeta vendin tim”, tha ai.
Gjithsesi nuk ishte takimi me një klub të madh që e ndryshoi totalisht mesfushorin, por takimi me një njeri të madh. “Takimi me Mandelan ishte i pabesueshëm dhe nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Në të ardhmen mund të bëhem agjent lojtarësh, por mund të ndihmoj edhe të rinjtë”, përfundoi Boateng.