Mustafa: Kosova ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së lidhur me kriteret për liberalizimin e vizave. Në një postim në FB, Mustafa shkruan se, meqenëse Kosova ka përmbushur kërkesat për liberalizim vizash është në dorën e BE-së që ta caktojë datën e rekomandimit.  “E di që liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për ju. Kosova përmbushi të gjitha kërkesat e BE-së, lidhur me kriteret për liberalizim dhe presim që institucionet e BE-së të marrin vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë. Kosova, po ashtu, ka treguar përkushtim të fortë për ndaljen e plotë të migrimit të qytetarëve të saj në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe ka marrë masa për kthimin dhe riatdhesimin e një numri shumë të madh të atyre që u shpërngulën. Qeveria po punon pa ndërprerë në krijimin e një ambienti që gjeneron zhvillim dhe punësim si dhe për adoptimin e politikave ekonomike dhe sociale, të cilat krijojnë perspektivë për jetë për të gjithë qytetarët. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha shtetet e BE-së, me ato që e kanë pranuar shtetin tonë, por edhe me ato që nuk e kanë pranuar, që t’i informojmë për rëndësinë politike dhe ekonomike që ka liberalizimi i vizave për qytetarët tanë dhe për bizneset, sidomos tani kur po e implementojmë MSA-në. Jemi në kontakte dhe në bashkëpunim me institucionet më të larta të BE-së. Në këtë periudhë, institucionet e Kosovës mund të flasin për përmbushjen e kritereve, kurse është në kompetencë të organeve të BE-së që vetëm ato të caktojnë datën e rekomandimit, përkatësisht të liberalizimit. Po punojmë së bashku me institucionet e BE-së, andaj besojmë që liberalizimi do të ndodhë sa më shpejt”, shkruan Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Artikulli paraprakPërplasja e re mes Turqisë dhe BE
Artikulli tjetërAvokati i Popullit: Po shkelet e drejta e pronës