Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, ka deklaruar se institucioni që përfaqëson futbollin në kontinentin europian, do të kërkojë të paktën 16 vende në Kampionatin Botëror, duke filluar nga viti 2026, kur formati do të shtrihet në 48 skuadra.
“Ne mendojmë se është një kërkesë e arsyeshme ajo për 16 skuadra dhe që secila prej tyre të jetë në një grup të ndryshëm. Mendoj se të 16 këto skuadra mund të kualifikohen në turin tjetër të turneut”, deklaroi sot Çeferin pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Në këtë mënyrë, në fazën e parë, e cila planifikohet të ndërtohet me 16 grupe me nga tre skuadra dhe që do të zgjatë në total 12 ditë në turneun e vitit 2026, nuk do të ketë asnjë përplasje mes europianeve. Në Botërorin 2014, që në ndeshjet e para në grupe, kishte përplasje gjigantësh të kontinentit tonë mes të cilëve Holanda me Spanjën (5-1), Italia me Anglinë (2-1) dhe Gjermania me Portugalinë (4-0).
Por ky nuk është vendimi i rëndësishëm që u diskutua në mbledhjen e sotme të Ekzekutivit. UEFA do të çojë për aprovim në Asamblenë e prillit propozimin për kufizimin në 3 mandate katërvjeçare si të presidentit, ashtu edhe të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.
Ndërkaq, për të kënaqur klubet rebele që kërkojnë me ngulm krijimin e Superligës Europiane, UEFA do të kërkojë shtimin e dy vendeve permanente në Komitetin Ekzekutiv të saj, ku do të ulen drejtuesit më të lartë të ECA-s, organizatës së klubeve europiane. Aktualisht, në mbledhjet e Ekzekutivit, në rol vëzhguesi, kanë marrë pjesë Karl Hainz Rumenige i Bajern Mynihut dhe Andrea Anjeli i Juventusit.